Në “Festën e çobanit” që programi “Shije Shtëpie” ka sjellë përmes ekranit të Tv Klan, tregohet edhe dasma e malësorit. Kjo traditë grumbullon rituale të veçanta për nusen e dhëndrin e malësisë.  Pranë Meritës që shpjegon disa prej ritualeve kryesore, qëndron një vajzë e veshur me xhubletën e martesës, me një shami të bardhë të hedhur në fytyrë dhe stoli të shumta.

Merita: Ritualet e dasmës janë shumë, por ato që janë më të rëndësishme ishte hedhja e mollës,  sjellja rreth gacës dhe kjo nuk ishte ulja në karrige, por nënkupton që nusja do të qëndrojë në këtë shtëpi dhe do të shtojë konakun. Zjarri personifikon shtimin e frymës njerëzore në pragun e shtëpisë ku është martuar. Këto janë disa rituale që vetëm në Malësinë e Madhe marrin kuptim ndaj edhe nusja e Malësisë së Madhe duhet të kalojë disa rituale që janë obligim familjar që duhet t’i kryejë secila nuse.

Merita shton se çdo krahinë ka xhubletën e saj, por xhubleta që vajza mban veshur është “xhubleta e madhe” dhe përdoret vetëm për këtë rast. Njëkohësisht, ajo tregon edhe detyrimet që ka familja e dhëndrit kundrejt nuses.

Merita: Nusen zakonisht e përgatit xheverja, është veshtarja më mirë të themi dhe veshtarja është e përzgjedhur nga familja e vajzës, por që paguhet nga familja e djalit. Është një ritual që malet e Malësisë e kanë vendosur për këto ritualet e dasmës që njëra pas tjetrës transmetojnë obligimin që ka familja e djalit kundrejt familjes së vajzës.

Ermelinda Ndoja: Dhëndri, familja e djalit paska shumë obligime. Po familja e nuses çfarë obligimesh ka?

Merita: Ne zakonisht përgatitim pajën për të gjithë anëtarët e familjes, por edhe pajën e nuses që zakonisht fillon nga 5-6 xhubleta deri në 10 xhubleta. Në pajën e saj përgatit edhe “të falat” për të gjithë familjen. Kur përgatitet paja e nuses, paratë i sjell shtëpia e dhëndrit, pra përcaktohet një shumë parash që e vendos familja e vajzës./tvklan.al