Fredi Beleri rikthehet sërish në qelinë e burgut. Ai erdhi në aeroportin e Rinasit mëngjesin e kësaj të shtune, për tu drejtuar më pas drejt Fierit, aty ku ai do të vijojë të vuajë dënimin.

Beleri rikthehet në burg pas 5 ditëve të lejes shpërblyese që iu dha nga Drejtoria e Burgjeve, për tu betuar si eurodeputet në takimin e parë të Parlamentit të ri Evropian në Strasburg, ku edhe ai u zgjodh si përfaqësues i Greqisë.

Në një prononcim për mediat nga aeroporti, Beleri tha se nuk i vjen keq që po kthehet në qeli.

Fredi Beleri, eurodeputet: Jo nuk më vjen fare keq! Unë respektoj drejtësinë edhe pse drejtësia nuk respekton veten e vet.

Beleri ka sqaruar edhe kërkesën e avokatëve të tij për lirim me kusht.

Fredi Beleri, eurodeputet: Kërkesa ime është brenda kuadrit ligjor, drejtësia le të vendosë.

I pyetur nëse opozita do t’i fitojë zgjedhjet në Bashkinë e Himarës pa të, ai shprehu besimin për kandidatin e opozitës

Fredi Beleri, eurodeputet: Sigurisht që mund t’i fitojë, opozita ka zgjedhur një kandidat ndoshta edhe më të përshtatshëm se sa unë. Qytetarët e Himarës do të mbarojnë atë që filluan në 14 Maj të 2023, jam i bindur për fitoren.

Beleri u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje. Ai e shlyen dënimin përfundimisht më 19 Tetor, kur fiton edhe lirinë.

Klan News