Afati 60-ditor i vendosur për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka skaduar pa një dakordësi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se, për shkak të shkeljeve të shumta nga Uashingtoni, procesi i parashikuar në marrëveshjen e 17 qershorit nuk mund të konsiderohet më në fuqi.
Memorandumi synonte t’i jepte fund menjëherë dhe në mënyrë të përhershme operacioneve ushtarake, ndërsa palëve u linte 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje më të gjerë, që do të përfshinte programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet amerikane.
Por, në vend të një marrëveshjeje, tensionet janë përshkallëzuar sërish në Ngushticën e Hormuzit.
UKMTO, Operacionet Britanike të Tregtisë Detare, raportoi se një anije u godit nga një predhë e paidentifikuar ndërsa po lundronte drejt daljes nga ngushtica. Goditja shkaktoi dëmtime në dhomën e motorit dhe një pjesëtar i ekuipazhit mbeti i plagosur. Pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit po asistohen nga Roja Bregdetare e Omanit.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian tha për Reuters se Teherani mund të kalojë në një qëndrim “plotësisht ofensiv”, duke paralajmëruar veprime ushtarake për të thyer bllokadën detare amerikane.
Në Uashington, presidenti Donald Trump ka bërë të qartë se nuk synon zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme.
Megjithatë, mediat amerikane raportojnë se një kanal i fshehtë komunikimi me Gardën Revolucionare Iraniane mbetet një prej pak sinjaleve se diplomacia mund të mos jetë mbyllur plotësisht.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 