E enjtja është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, ku deri më tani zyrtarisht është konfirmuar pjesëmarrja në garë e kreut aktual, Sali Berisha. Sipas vendimit të marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, të gjithë kandidatët duhet të dorëzojnë deri nesër në orën 12:00 kërkesat pranë selisë blu.

Kandidatët që synojnë drejtimin e Partisë Demokratike duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, mes të cilave: të jenë anëtarë të PD-së me një profil të lartë publik dhe politik, si dhe me një angazhim të paktën 10-vjeçar në parti.

Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal, në beteja politike dhe për çështje qytetare, si dhe përmbushja e kritereve në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka vendosur thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj, ndonëse më herët mbledhja e tij ishte parashikuar për 6 qershor.

Në fokus do të jetë përcaktimi i vijës së aksionit politik të PD-së, prezantimi i ndryshimeve statutore nga grupet e punës përkatëse, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Tv Klan

/tvklan.al