Orët e ardhshme të kryeministrit britanik Keir Starmer po konsiderohen kritike për lidershipin e tij pas tronditjes që ka shkaktuar dosja e Jeffrey Epstein ditët e fundit.

Një tjetër figurë e profilit të lartë e Downing Street, drejtori ekzekutiv i komunikimit Tim Allan, ka njoftuar dorëheqjen këtë të hënë, pas largimit të shefit të kabinetit një ditë më parë.

Humbja e dy ndihmësve kryesorë në 24 orë vjen ndërsa Starmer po përballet me presionin në rritje, si brenda ashtu edhe jashtë partisë së tij, për shkak të emërimit të lordit Mandelson, mikut të Epstein, si ambasador në SHBA.

Bloomberg shkruan se laburistët po diskutojnë deri dhe dorëheqjen e Starmer si kryeministër.

Starmer nuk ka pasur kurrë asnjë kontakt me pedofilin amerikan, por ai i dha detyrën e rëndësishme si ambasador në SHBA Peter Mandelsonit, i cili kishte mbajtur marrëdhënie të mira me Jeffrey Epstein edhe pasi ky i fundit ishte akuzuar për abuzim me të mitur.

Edhe konservatorët në opozitë kanë reaguar për largimet e fundit, duke thënë se “minjtë po braktisin anijen që po fundoset”, duke paralajmëruar fundin e qeverisë.

Për këtë skandal, ku është përfshirë edhe Princi Andrew, reaguan për herë të parë Princi dhe Princesha e Uellsit. Një zëdhënës mbretëror tha se Princi William dhe Princesha Catherine ishin thellësisht të shqetësuar dhe ishin “të përqendruar te viktimat” në dritën e informacionit të ri të përfshirë në dokumentet që lidhen me abuzuesin e ndjerë seksual të publikuar në SHBA.

Tv Klan

/tvklan.al