Në dhjetor të vitit 2019, në qytetin e vogël Zug të Zvicrës, një figurë e panjohur iraniane, Saeed Alikhani, mbërriti me një plan të pazakontë. Ai i kërkoi një firme avokatie vendase të ngrinte kompani offshore dhe të përpilonte kontrata të çuditshme hipotekare mbi anije gjigante transportuese të naftës.

Në pamje të parë, skema dukej e komplikuar, por shpejt rezultoi të ishte një nga rrjetet më efikase të ndërtuara ndonjëherë për të anashkaluar sanksionet amerikane ndaj Iranit.

Mekanizmi

Në vend të garancive bankare, të cilat nuk ishin më të disponueshme për kompanitë iraniane për shkak të sanksioneve, Alikhani përdori anijet e naftës si kolateral. Skema ishte e thjeshtë në logjikë, por e sofistikuar në zbatim, nëse një blerës nuk paguante për ngarkesën, kompania e tij, Ocean Glory, do të fitonte të drejtën mbi anijen. Ky mekanizëm shërbente si një alternativë e letrave tradicionale të kreditit.

Në pak vite, mbi 30 anije nafte me vlerë rreth 1 miliard dollarë, u lidhën me hipotekat e Alikhanit.

Shumë prej këtyre anijeve filluan më pas transportin e naftës iraniane drejt Kinës duke kaluar përmes ujërave ndërkombëtare me dokumente të falsifikuara ose të pasakta mbi origjinën e ngarkesës.

Shifra marramendëse

Hetimi i Financial Times dhe të dhënat e ndjekura nga agjencitë detare tregojnë se, falë kësaj skeme, drejt Kinës janë dërguar mbi 130 milionë fuçi naftë, me një vlerë tregu që kap shifrën e 9.6 miliardë dollarëve.

Kjo është një nga mënyrat kryesore me të cilat Irani ka arritur të financojë ekonominë e tij të goditur nga sanksionet, duke pasur si përfitues të drejtpërdrejtë blerësit kinezë.

Përfshirja e Kinës dhe kompanitë e sanksionuara

Shumë nga kompanitë e përfshira në marrëveshjet e hipotekës dhe në blerjen e naftës kishin lidhje të drejtpërdrejta me entitete kineze të sanksionuara tashmë nga SHBA-të. Këto kompani pranonin të përdornin rrjetin e Alikhanit si një mënyrë për të garantuar transaksionet, pa kaluar përmes sistemit bankar ndërkombëtar që kontrollohej nga sanksionet perëndimore.

Goditja nga SHBA-të

Në dhjetor 2024, Departamenti i Thesarit i SHBA-së goditi rrjetin duke e futur Ocean Glory në listën e zezë, së bashku me disa kompani dhe individë të tjerë që ndihmonin Iranin të eksportonte naftë. Sipas Washingtonit, ky ishte një nga rrjetet më të sofistikuara që kishte mbështetur eksportet iraniane në vitet e fundit.

Një zyrtar amerikan e përshkroi këtë mekanizëm si një “manual të gjallë të shmangies së sanksioneve”, duke paralajmëruar se të tjera struktura të ngjashme po operojnë ende nëpërmjet vendeve neutrale si Zvicra apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një skemë “fantazmë”

Pjesa më e madhe e anijeve të lidhura me rrjetin operonin si “flota fantazmë”, ndryshonin emrat e flamujt, apo kryenin shkëmbime ngarkesash në det të hapur për të fshehur origjinën e naftës.

Ekspertët e tregut detar theksojnë se këto metoda janë tipike për anijet që transportojnë naftë nga shtete të sanksionuara si Irani, Rusia dhe Venezuela.

Rasti i Saeed Alikhanit dhe rrjetit të tij tregon sesi kreativiteti financiar, kombinimi i boshllëqeve ligjore dhe përdorimi i juridiksioneve neutrale, mund të shndërrohen në instrumente të fuqishme për të përmbysur efektin e sanksioneve ndërkombëtare.

Deri më sot, autoritetet amerikane kanë arritur të godasin një pjesë të këtij rrjeti, por pyetja që mbetet është: a është kjo vetëm maja e ajsbergut të një tregtie të tërë globale që po zhvillohet jashtë radarit të sanksioneve perëndimore?/tvklan.al