Qeveria vendosi mbylljen e Kolegjit Universitar “Wisdom”, pas skandalit me diplomat false. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i kërkon këtij institucioni të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara.

Po ashtu Kolegjit “Wisdom” i kërkohet të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij. Sipas vendimit të qeverisë, kjo duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar Wisdom. 

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për Kolegjin Universitar “Wisdom”, për dyshimet se aty janë falsifikuar dhe shpërndarë në këmbim të vlerave monetare dokumente shkollore. Hetimet kanë nisur në muajin korrik pas një kallëzimi të bërë nga ish-rektori i këtij universiteti, Bajram Hasa.  

Edhe autoritetet italiane kanë hapur një hetim për këtë çështje duke vënë në pranga 9 persona. Mes të arrestuarve është edhe pronari i Kolegjit Universitar “Wisdom” me qendër në Tiranë.

Klan News