Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime në lidhje me skandalin për dhënien e diplomave të paligjshme të kolegjit Wisdom nëpërmjet ryshfetit. Në njoftimin zyrtar ky institucion thotë se ka regjistruar procedimin penal për veprën “falsifikim i dokumenteve shkollore”.

Klan News ka mësuar se Prokuroria është vënë në lëvizje në muajin Korrik pas kallëzimit të ish-rektorëve të këtij institucioni, Bajram Hysaj dhe Lush Përpali, me pretendimin se u është falsifikuar firma, dhe se lëshoheshin certifikata dhe diploma, mbi bazën e një marëveshje të paligjshme me një institucion Italian “Universo Docento”, i cili nuk egziston.

Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat ligjore për mbylljen e Kolegjit Universitar Wisdom, për shkak të shkeljeve që ka hasur grupi i punës gjatë kontrollit të ligjshmërisë në këtë institucion të arismit të lartë.

Ministria shpjegon se nga kontrollet e kryera grupi i punës, ka hasur në shkelje ligjore të rënda gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike në këtë kolegj, siç janë mungesa e regjistrave, por edhe një program studimi i ciklit master është i palicencuar nga Ministria e Arsimit.

Për vitin e ri akademik 2024-2025 Ministria e Arsimit nuk certifikoi kuotat e pranimit për Kolegjin Universitar Wisdom, dhe në këtë institucion nuk janë bërë regjistrime në vit të parë për vitin e ri akademik. Ndërkohë që vendimi zyrtar për mbylljen e këtij kolegji, sëbashku me masat për transferimin e studentëve që janë në proces në vitet e tjera të studimit, pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave në ditët në vijim. Në këtë Kolegj Universitar diplomat që janë lëshuar më parë, pjesë e 12 programe të studimit, për të cilat Klan News ka siguruar dokumentin e qendrës së shërbimeve arismore, janë të vlefshme, pasi janë program të licencura dhe të akredituar.

Institucionet hetimore italine, pas zbulimit të skandalit kanë arrestuar 9 persona, ndërsa dhjetra të tjerë janë vënë në hetim. Mes të arrestuarve janë administrator dhe pronari i kolegjit Wisdom, Savino Cianci dhe Leonardo Catalano. Është zbuluar se për një diplomë false paguheshin deri në 8 mijë Euro.

Klan News