Një autoportret i Frida Kahlo që daton në vitin 1940 është shitur për 54.7 milionë dollarë në një ankand në Nju-Jork, më shumë se çdo vepër që i përket një piktoreje.

“Ëndrra” tregon Kahlo të mbështjellë me bimë kacavjerrëse, shtrirë në një shtrat me katër kolona dhe duke pluskuar në një qiell blu të zbehtë. Mbi shtrat varet një skelet me dinamit që mban një buqetë lulesh.

Çmimi tejkalon rekordin e Georgia O’ Keeffe me “Jimson Weed/White Flower No. 1” që u shit për 44.4 milionë dollarë në vitin 2014.

Sotheby’s nuk e ka identifikuar ende blerësin.

“El sueño (La cama)” parashikohej të shitej në vlerat 40-60 milionë dollarë. Çmimi për të cilin u shit thyen rekordin për veprat latino-amerikane të vendosur sërish nga Kahlo me “Diego y Yo” në vitin 2021 që u shit për 34.9 milionë dollarë.

Thuhet se pikturat e saj janë shitur për vlera më të mëdha në forma private.

Autoportreti është një nga pikturat e pakta të Kahlo që kanë mbetur jashtë Meksikës, ku veprat e saj janë deklaruar monumente artistike. Punimet e saj në koleksionet publike dhe private brenda Meksikës nuk mund të shiten jashtë vendit apo të shkatërrohen.

Kahlo e pikturoi veten dhe ngjarjet nga jeta e saj, e cila u frenua nga një aksident i pafat me autobus në moshën 18-vjeçare. Ajo nisi të pikturonte gjatë kohës që ishte e lidhur pas shtratit, iu nënshtrua një morie ndërhyrjesh të dhimbshme kirurgjikale për shtyllën kurrizore e legenin dhe mbajti allçi derisa vdiq në moshën 47-vjeçare në 1954.

Gjatë viteve që mbeti në shtrat, ajo nisi ta shihte atë si një urë midis dy botëve ndërsa eksploronte vdekshmërinë.

“Nuk pikturova kurrë ëndrra. Pikturova realitetin tim”, ka thënë ajo.

Sipas Sotheby’s, “skeleti i mbetur pezull interpretohet shpesh si një pamje e ankthit të saj se mos vdiste në gjumë, një frikë e kuptueshme për një artiste, ekzistenca e përditshme e së cilës ishte formësuar nga dhimbjet kronike dhe traumat e së kaluarës.”

Kjo javë ka qenë e rëndësishme për ankandet e artit në Nju-Jork. Sotheby’s ka shitur vepra moderne për 706 milionë dollarë, përfshirë një pikturë të Gustav Klimt për 236.5 milionë dollarë që është vlera e dytë më e lartë në historinë e ankandeve. Edhe shtëpia rivale e ankandeve, Christie’s, shiti vepra të shek. XX për 690 milionë dollarë.

/tvklan.al