“Në fillim të Korrikut do të shohim rezultatin e lirimit të masave të Qershorit”

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj thotë se rritja e numrit të personave të infektuar me Covid-19 gjatë javëve të fundit, është si rezultat i lehtësimit të masave.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Brataj u shpreh se koronavirusi ka ndryshuar formën e shfaqjes, por nuk ka ulur virulencën.

“Ka një shqetësim, ka frikë dhe ankth sepse numrat flasin. Nuk është gjë që nuk e prisnim. Më e ekzagjeruar është fakti i mosrespektimit të masave. Është lirimi i masave që ndikon në hapjen e virusit. Është akoma agresiv. Ka ndryshuar disi forma e shfaqjes, nuk mund të themi që ka ulur virulencën. Ka shenja pak më agresive, por kjo nuk vërteton virulencën”.

Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, numri i të infektuarve që është shfaqur së fundmi ka të bëjë me fillimin e lehtësimit të masave kufizuese gjatë mesit të muajit Maj.

Ndërsa rezultatet e hapjes totale që ndodhi në fillim të Qershorit, pritet të shihen në fillim të muajit Korrik.

“Nuk është e njëjta gjë siç ishte në fillim. Ne vazhdojmë te kemi ato hijet mbi virusin. Duhet të bashkëjetojmë me virusin. Të bashkëjetosh do të thotë të respektosh rregullat. Këtë që ne shohim sot është si rezultat i lirimit të masave të Majit. Lirimi i masave të fillim Qershorit do ta shohim në fillim të Korrikut”, deklaroi Skënder Brataj. /tvklan.al