“Vetting për politikanët, kufizim të mandatit të kryetarit e distancim nga blerja e votës”

Emra si ai i Arta Dades, Maqo Lakrorit, Eva Allushit nuk dëgjohen prej kohësh në korridoret e Partisë Socialiste. Por tashmë që përgatitjet për Kongresin po marrin dorën e fundit, zërat e harruar janë rikthyer duke prekur disa tema delikate në parti.

Përmes një letre publike, të emërtuar si “Mocion për Reformimin e Partisë Socialiste”, synohet hapja e diskutimeve në Kongres për tema sensitive, që kanë pasur jehonë të fortë në debatin publik. Si për shembull verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së atyre që kanë kryer, apo janë aktualisht në funksionet e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë, shoqëruar nga konfiskimi i pasurive të tyre të paligjshme.

Nisma e një lloj vetingu në politike, propozim i refuzuar publikisht nga socialistët deri më sot. Pikë tjetër është ndëshkimi ligjor, politik dhe publik i manipulimit dhe vjedhjes së votave dhe dënimi i politikanëve që kanë përfituar nga ky fenomen, pavarësisht postit që kanë pasur.

Kërkesë tjetër është edhe ndarja e posteve në parti dhe qeveri. Thënë ndryshe, kryetari i partisë nuk mund të jetë Kryeministër, një parim që propozohet edhe për poste të tjera në parti.

Në mocion propozohet kufizimi i mandateve të posteve drejtuese në parti dhe rritja e demokracisë në zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe deputetë. Për kryetarin kërkohet jo më shumë se dy mandate. Mbetet në dyshim nëse propozimet e firmosura nga socialistët e hershëm do të arrijnë të provokojnë diskutime apo reflektime në Partinë Socialiste, e cila është në vitin e 7 të qeverisjes, në mandatin e dytë me Edi Ramën Kryeministër.

Tv Klan