Reperi i njohur amerikan me famë botërore, Kanye West, ka mbërritur në Tiranë. Ky është momenti kur ai futet në një prej hoteleve të kryeqytetit.

Mbrëmjen e sotme ai do të performojë në “Eagle Stadium”, ku do të ndiqet nga mijëra fansa nga e gjithë bota.

Qendrat dhe rrugët e kryeqytetit janë mbushur këtë të shtunë me të rinjtë e huaj që kanë ardhur për këngëtarin e tyre të preferuar. Për shumë prej tyre është hera e parë që ndjekin një koncert të një prej artistëve më të njohur të muzikës moderne.

“Jemi nga Greqia. Erdhëm me automjet për 8 orë nga Athina dhe tani po vizitojmë qytetin, që është shumë interesant.”

“Është hera e parë që ndjekim një koncert të Kanye West. Është një mundësi e mirë për ne që jemi këtu në Tiranë.”

Teksa në orën 18:00 nis hyrja në “Eagle Stadium”, ata po e shfrytëzojnë për të njohur Tiranën.

“Jemi nga Finlanda. Është kënaqësi që sonte performon Kanye West, do të shkojmë bashkë me miqtë. Është dita e dytë që jemi në Tiranë, ky qytet ishte një surprizë e bukur për ne.”

“Sapo kemi mbërritur. Partnerja ime është më shumë fanse e tij, kemi ardhur nga Italia për të. Në Shqipëri jemi për herë të parë, po vizitojmë qytetin dhe të hënën kthehemi.”

“Jam nga Gjermania, e dëgjoj Kanye West, do të jem në koncert sonte së bashku me miqtë e mi gjermanë. Kënga ime e preferuar e tij është ‘On Sight’. Kemi ardhur të mërkurën, për të qëndruar 5 ditë në total, largohemi të dielën. Ndërsa Tirana është qytet shumë interesant, na pëlqeu shumë ushqimi në restorantet këtu.”

Pak orë përpara nisjes së koncertit, organizatorët kanë njoftuar se ka ende bileta në shitje dhe mund t’i përfitojnë me 30% ulje. Kjo është ngjarja artistike më e madhe e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ndërsa shihet si mundësi e promovimit të vendit.

Tv Klan

/tvklan.al