“Miss Universe Albania & Kosovo 2026” vjen mbrëmjen e kësaj të shtune, 6 qershor, në ekranin e Televizionit Klan me një spektakël të veçantë ku nuk do të mungojnë surprizat, të ftuarit dhe emocionet e garës për më të bukurën e trojeve shqiptare. Në një lidhje direkte me studion e lajmeve të Tv Klan, producenti Eduart Deda zbuloi se mbrëmjen e sotme nuk do të jepet një, por tre çmime.

“Sonte do të ndahet çmimi Miss Universe Montenegro, Miss Universe Kosovo dhe Miss Universe Albania. Do të jenë tre përfaqësuese të trevave shqiptare. Jemi i vetmi shtet që rrethohemi me bashkëkombasit tanë dhe për këtë arsye kemi zgjedhur të bëjmë tre vendet në licencën e Miss Universe dhe të përfaqësohemi në botë me tre bukuri shqiptare”.

Jo vetëm të bukura, por edhe të shkolluara... Deda zbulon për Tv Klan edhe një detaj sa interesant aq edhe të rrallë: këtë herë në kompeticion marrin pjesë 6 vajza të cilat studiojnë për mjekësi.

“Çdo vit konkurrenca vjen dhe shtohet, vajzat përmirësohen sepse rrjetet sociale i kanë informuar më shumë mbi konkurset e bukurisë dhe rëndësinë e tyre. Bëhet fjalë që do të përfaqësojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi në një kompeticion që shihet nga dy miliardë e gjysmë njerëz në botë dhe absolutisht edhe përgatitja e tyre duhet të jetë dinjitoze për të përfaqësuar veten dhe kombin. Këtë vit kemi vajza jashtëzakonisht shumë të bukura, por edhe të shkolluara mirë dhe për herë të parë janë gjashtë konkurrente që studiojnë për mjekësi, gjë që është diçka shumë e çuditshme dhe e rrallë që na ka ndodhur në kompeticionet tona”.

Por cilët do të jenë të ftuarit special të mbrëmjes së sotme?

“Pas 34 vitesh, për herë të parë, Sidorela Kola do të ngjitet në skenë, duke qenë pjesëtare e jurisë. Juria është e përzgjedhur me shumë kujdes nga autori Albert Dumani, i cili do të sjellë shumë surpriza dhe emocione të bukura mbrëmjen e sotme”.

Po ashtu, producenti Deda thotë se nuk do të mungojnë edhe dy çmime të cilat lidhen me promovimin e turizmit: Miss Tourism Kosovo dhe Miss Tourism Albania.

Tv Klan

/tvklan.al