Mbrëmjen e kësaj të hëne, në orën 22:00, emisioni “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu i kushtohet vendimit të Gjykatës së Hagës për katër ish-drejtuesit e UÇK-së dhe luftës çlirimtare në Kosovë.

Pjesa më e madhe e programit bazohet në filmime tronditëse dhe të patransmetuara më parë, të cilat dëshmojnë masakrat e kryera nga forcat serbe.

Këto pamje ekskluzive nga një koleksion privat janë përdorur më parë si prova në Gjykatën e Hagës, përfshirë procesin kundër Slobodan Miloševićit.

“Bëhet fjalë për filmime të cilat janë në posedim privat. Pra janë koleksion privat, nëse mund t’i quaj kështu, të një personi shumë të pasionuar në Kosovë të cilat janë vënë në dispozicion të gjykatës për krime lufte në ish-Jugosllavi për të dënuar një pjesë e tyre Slobodan Miloševićin. Janë filmime kryesisht të agjencive të huaja, të operatorëve të Kosovës, shqiptarë të Kosovës apo të individëve që kanë pasur kamera.

Filmime të patransmetuara kurrë, vetëm pak sekonda mund të jenë transmetuar nëpër televizionet ndërkombëtare në atë kohë, që dëshmojnë masakrat më të frikshme të kryera në Kosovë. Masakrat, filmimet janë tronditëse. Ne kemi ndërtuar të gjithë emisionin e sotëm lidhur me këto filmime. Janë dy seri të emisioneve”, tha Fevziu.

Sipas Blendi Fevziut struktura e emisionit përmban 80% pamje reale të kohës dhe 20% dëshmi, duke përfshirë edhe rrëfimet e tre fotografëve kryesorë të Kosovës. Kjo ngjarje televizive është konceptuar në dy seri, ku emisioni i ditës së nesërme do të sjellë historinë e plotë të luftës nga A-ja te Z-ja për të gjithë publikun.

“Emisioni i sotëm është kryesisht i mbështetur mbi dëshmitë për të parë dhe njëherë atë se çfarë realisht kanë bërë serbët në Kosovë. 80% e emisionit me pamje filmike reale të kohës, 20% me dëshmi të mëvonshme.

Janë dhe dëshmitë e tre fotografëve kryesorë të Kosovës në atë kohë. Ndërkohë që nesër emisioni Opinion meqënëse unë ja dedikova të dyja ditës të Kosovës, të gjithë ata që nuk kanë qenë shumë vëmendje, e kanë harruar, janë më të rinj dhe kanë lindur më pas, kanë mundësinë të shohin të gjithë historinë e luftës së Kosovës nga A-ja tek Z-ja”, shtoi ai.

/tvklan.al