Kombëtarja shqiptare do të synojë rezultat pozitiv në transfertën kundër Finlandës, në ndeshjen e tretë të vlefshme për Ligën e Kombeve. Pas dy fitoreve në sfidat e para, trajneri Maran kërkon që lojtarët të japin më shumë sesa 100% në fushë, sepse rivali është ekip me cilësi.

“Finlanda është një skuadër shumë e vështirë. Ka për qëllim që ta bëjë rivalin të luajë keq. Ngjason pak me Bjellorusinë për mënyrën si qëndrojnë në fushë. Por kam besim që do t’ia dalim. Lojtarët që do të futen në fushë duhet të japin më shumë se 100%. E kemi bërë në disa fragmente të caktuara të lojës dhe kemi treguar të gjithë kualitetin tonë. Jemi me fat që kemi lojtarë me cilësi”, deklaroi Maran.

Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, është i bindur se kuqezinjtë do të arrijnë vendin e parë në grup, pavarësisht se i vlerëson maksimalisht rivalët.

Kombëtarja do të zbresë në fushën e lojës në stadiumin Helsinki këtë të shtunë, në orën 15:00, dhe trajneri Maran është duke menduar të bëjë disa ndryshime në formacion, krahasuar me sfidën në San Marino. Pas ndeshjes së të shtunës, kuqezinjtë do të presin në Tiranë pikërisht San Marinon për të mbyllur ciklin e ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve. Këto duele do të transmetohen në TV Klan.

Tv Klan

/tvklan.al