Raportim Live

Tensione në Kuvend, Noka me ‘shokë’ i afrohet foltores. Peleshi i injoron

Flamur Noka dhe deputetë të tjerë të opozitës i janë afruar foltores së Kuvendit pas debateve se kush do ta merrte fjalën.

Kreu i Kuvendit Niko Peleshi i dha fjalën fillimisht Albana Vokshit, Jozefina Topallit, më pas Gent Strazimirit por ata nuk pranuan, pasi po kërkonte të fliste kryedemokrati Sali Berisha. Por Peleshi nuk ia dha fjalën duke thënë se e kishte përdorur kohën e tij.

“Shumë faleminderit, më skuqe”, tha në një moment Peleshi, i cili më pas nisi me rendin e ditës,“Ore e ke fjalën, do ta marrësh fjalën? Okej kalojmë tek njoftimet.

Në këto momente mori fjalën Taulant Balla, i cili nga vendi tha: “Urime atyre që largohen nga qeveria për punën e tyre të mirë dhe po ashtu dua t’u ruroj suksese kolegëve që po hyjnë në qeveri. Suksese dhe punë të mbarë për Shqipërinë 2030.”

Më pas Peleshi, hodhi për votim dekretet e presidentit. Këtu më shumë deputetë i afrohen foltores, përfshirë kreun e PD-së Sali Berisha.

Belind Këlliçi: Paskam shpëtuar mirë, e përjashtuat Shehajn me 20 ditë…

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, ka marrë fjalën në seancën plenare ku është shprehur kundër propozimit të mazhorancës, për propozimin që deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar.

Më pas ai duke kujtuar që vetë ka kohë pa folur në Parlament, u shpreh kundër përjashtimit me 20 ditë të kreut të Partisë Mundësia Agron Shehaj: “Paskam shpëtuar mirë, sot deputeti Agron Shehaj iu përjashtua me 20 ditë pse foli për qytetarët”.

Më pas ai shtoi: “Është e turpshme kjo mënyrë drejtimi e seancës, për më tepër çohet kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, fyen kreun e grupit të opozitës, fyen deputetët e opozitës dhe ndërkohë i tërhiqet vëmendja kreut të grupit të PD-së. Kjo është e paimagjuinueshme. Do ju kërkoja të riktheheni në normalitet.”

download app

Përjashtohet me 20 ditë Agron Shehaj, Kapri: Sulm ndaj parlamentarizmit

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, bëri me dije gjatë seancës parlamentare se Agron Shehaj është përjashtuar me 20 ditë. Ai e konsideroi këtë një ngjarje të rëndë që cënon parlamentarizmin.

“Përjashtoi Shehajn për 20 ditë sepse tregoi për dhunën ndaj banorëve të Rrjollit. Ju nuk ndodheshit në sallë atë moment. Gjeni një moment kur është përdorur fjalë fyese”, tha Kapri.

“Është sulm i rëndë ndaj parlamentarizmit, do e çojmë shumë lart këtë problem”, shtoi ai.

Ina Zhupa: Po i hiqni të drejtat kushtetuese deputetëve të opozitës

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare, ku ka kritikuar mazhorancën lidhur me propozimin që deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar.

“Ju ka hequr vëreëjtje kryeministri se ju tha që ju duhet të jeni vetëm kartona”, tha ajo në nisje të fjalës së saj.

Pasi kishit një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që thotë se i keni hequr të drejtat kushtetuese deputetëve të opozitës, ju vazhdoni në mënyrë të njëanshme të vazhdoni të propozoni ndryshime në rregullore. Kush është thelbi i ndryshimeve?! Të godisni pikërisht atë që ju tërhoqi vëmendje Gjykatën Kushtetuese, lirinë e deputetit për të folur, për të denoncuar korrupsionin dhe për t’ju kërkuar llogarinë ju”, tha Zhupa.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi e kritikoi duke thënë se kjo çështje “Nuk është në rendin e ditës”.

Balla: Raporti për Ballukun, në seancën e 12 marsit

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, replikoi me kryetarin e grupit të PD-së, Gazment Bardhi pasi ky i fundit akuzoi se po shkelet rregullorja në lidhje me raportin e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Belinda Ballukut. Balla tha se demokrati Bardhi gënjeu dhe se Partia Socialiste është brenda afatit për t’u shprehur në lidhje me raportin e saj për këtë çështje. Ai sqaroi publikun se duke respektuar afatin raportet do të jenë gati në seancën më të parë, që i bie ajo e 12 marsit.

“Sa i përket gënjeshtrave që u hodhën në këtë sallë, qëndrimi ynë ka qenë i qartë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në emër të pesë deputetëve anëtarë përfaqësues të PS-së e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë dhe po ashtu në përfundim të mbledhjes kemi komunikuar si e sqaron rregullorja e Kuvendit këtë akt procedural. Në Këshillin e Mandateve ka pasur dy qëndrime dhe kjo është e qartë në procesverbalin e asaj mbledhje. Në rregulloren e Kuvendit thuhet se në përfundim të shqyrtimit Këshilli brenda dy javëve harton një raport. Jemi brenda kohës që na lejon rregullorja. Ky grup parlamentar është serioz që nuk i merr vendimet kryetari i grupit, kryetari i kuvendit, por në parti merren vendime kolegjiale. Në datë 23 shkurt kam komunikuar publikisht se sapo të depozitohet nga të 5 deputetët rekomandimi nga ana jonë do të respektohet afati dy javor, bie poshtë pretendimi se po shkelet afati. Sqaroj publikun që sapo të jetë gati brenda këtij afati në seancën më të parë që është seanca 12 mars, natyrshëm do të jenë gati dy raportet”, tha Balla.

Gjatë fjalës së tij ai pati edhe replika me Bardhin.  

Taulant Balla: E dëgjova me vëmendje gënjeshtrën dhe të gënjesh edhe në muaj Ramazani është dyfish.

Gazment Bardhi: O ushtari i bandave, o ushtari i Suelit.

Taulant Balla: Sa lidhje kam unë me besimin, i vetmi që nuk ke lidhje je ti. As me besimin, as me vlera të tjera morale dhe familjare. Mungesa e tyre janë tepër të rëndësishme për tu konsideruar për çdo person.

“Pse s’e futët raportin për Ballukun në rend dite?!”, Bardhi akuza mazhorancës: Po e çoni në limite

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka kritikuar kreune  Kuvendit Niko Peleshi, për mosfutjen në rendin e ditës së kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Siç jeni në dijeni, Këshilli për Mandatet ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj deputetes Belinda Balluku

 Duke qenë se ju s’kishit ende asnjë qëndrim dhe s’u kuptuat çfarë thatë, 5 deputetë e kanë dorëzuar raportin për seancën plenare. Sipas rregullores, ju zoti kryetar jeni të detyruar ta përfshini raportin si pjesë të seancës më të parë. Raporti është dorëzuar të hënën dhe seanca më e parë është seanca e sotme. Në rendin e ditës nuk është përfshirë sqyrtimi i kësaj kërkese dhe ka natyrë urgjente dhe ju doni të konsiderohet e rrëzuar për shkak të mosmarrjes në shqyrtim. E keni çuar në limite.”, tha Bardhi.

Më tej ai vazhdoi me akuzat ndaj mazhorancës për zvarritje të procesit: “Zoti kryetar ju e zvarritët këtë procedurë për gati dy muaj. Tani po zvarrisni përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës. Nëse me thoni se Ulsiu është akoma në bibliotekë dhe nuk e ka përfunduar raportin ky është problemi i Ulsiut. Nuk ka nevojë për lexim të thelluar si mbrohet Ballulu . Ku Kuvend ka për detyrë t’i përgjigjet SPAK-ut. Jepini një përgjigje, thoni duam ta mbrojmë korrupsionin nëse keni vendosur ta mbroni korrupsionin.”

Kuvendi nderon familjen Jashari dhe Tomor Dostin

Kuvendi e nisi seancën plenare sot me 1 minutë heshtje në nder të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të familjes të tij që ranë dëshmor për liri.

1 minutë heshtje u mbajt edhe në nder të Tomor Dostit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Ai ka qenë deputet në dy legjislatura të Kuvendit dhe ka pasur poste drejtuese në Partinë Demokratike.

“Ngushëllime më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Tomor Dostit”, tha kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

PS votoi ndryshimet në qeveri, fraza e Ballës drejtuar Vokshit “ndezi” sallën e Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë këtë të enjte seancën e radhës plenare, e cila pritet të nisë rreth orës 10:00, ku në fokus pritet të jetë votëbesimi për ministrat e rinj të qeverisë, pas ndryshimeve të miratuara një ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.

Sjellim ndërmend se emërimet dhe shkarkimet u propozuan nga kryeministri Edi Rama në kuadër të riorganizimit të kabinetit qeveritar.

Sipas procedurës parlamentare, mazhoranca socialiste pritet të kërkojë fillimisht ndryshimin e rendit të ditës, në mënyrë që të hidhen në votim dekretet e kreut të shtetit për emërimet e reja. Presidenti Begaj firmosi ditën e djeshme gjithsej 13 dekrete, që përfshijnë gjashtë shkarkime dhe shtatë emërime në poste ministrore.

Ndryshimet në qeveri u paralajmëruan nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së Partisë Socialiste të 26 shkurtit, ku u vendos edhe shkarkimi i Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë la në fuqi pezullimin e saj nga detyra nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR

Emërohen në detyrë:

-Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër;

-Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;

-Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme;

-Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes;

-Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë;

-Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;

-Erjona Ismaili, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Largohen nga qeveria

-Belinda Balluku si Zëvendëskryeministre dhe Ministre i Infrastrukturës dhe Energjisë;

-Elisa Spiropali si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme;

-Pirro Vengu si Ministër i Mbrojtjes;

Diskutime të tjera në rendin e ditës

Në rendin e ditës së seancës së kësaj të enjteje janë përfshirë edhe dy seanca pyetje–përgjigje të kërkuara nga deputeti socialist Erion Braçe. Ai do të kërkojë sqarime nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla.

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë gjashtë projektligje, mes tyre ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar, ratifikimin e një marrëveshjeje huaje për programin “Infrastruktura Bashkiake V – Faza II”, si dhe nisma të tjera që lidhen me taksat kombëtare, financat e pushtetit vendor dhe mbikëqyrjen e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale.

Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare, në orën 09:00 do të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin me 20 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia. Mazhoranca e akuzon atë se bllokoi foltoren dhe pengoi zhvillimin normal të seancës së fundit plenare.