
Me 92 vota pro, është miratuar deklarata e përbashkët e Kuvendit për gjyqin në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Pretenca e Hagës, një batërdi e tmerrshme”

Kuvendi i Shqipërisë doli sot, 12 shkurt, me një deklaratë të përbashkët për gjyqin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se kjo shkresë është në përputhje të plotë me qëndrimin që kjo forcë politike gjithnjë ka mbajtur ndaj procesit gjyqësor.
“Sikur sot të ishte gjallë Adem Jashari, edhe ai, sipas këtyre prokurorëve duhej të dënohej me 45 vite burg se luftoi për lirinë e vendit të vet. Heroi ynë kombëtar bashkë me heronjtë e tjerë që u përmendën këtu, nuk mund të përballen me këtë akt-akuzë sepse pushtuesi i ka vrarë”, tha ai në nisje të fjalës së tij...(Lexo më shumë)
Deklarata e plotë pro UÇK-së
Kuvendi i Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së. Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, që luftoi për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon që të shtrembërojë të vërtetën historike, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.
Për këtë, Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së që ishin dhe mbeten përfaqësues të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. Kërkesë jonë i është drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të kthehen në mjete për rishkrimin e historisë apo barazimin e viktimave me agresorët, kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte gjenocidale, ndaj popullatës civile të Kosovës dhe se ndërhyrja e NATO-s më 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte. Edhe bashkësia ndërkombëtare konfirmoi të drejtën e popullit të Kosovës për liri.
Solidarizohemi me popullin e Kosovës dhe familjet e luftëtarëve të UÇK-së, duke riktheksuar se populli shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri. Do të marrim çdo hap në forume ndërkombëtare për të bërë që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës mos të cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.
Kuvendi u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, institucioneve të Kosovës dhe diasporës shqiptare të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe drejtuesit e luftës çlirimtare. Kuvendi iu rekomandon qeverive të Tiranës dhe Prishtinës të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe në Kosovë. Deklarata përfaqëson vullnetin unanim të Kuvendit dhe i transmetohet Dhomave të Specilizuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit në OKB, Parlamentit Europian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe gjitha qeverive mike e partnere.
“Të shpallen të pafajshëm”, deklarata e Kuvendit për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Kuvend, ish-ministri Igli Hasani lexoi deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë në reagim të asaj që po ndodh në Hagë, me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të deklarohet pafajësia e tyre”, është kërkesa kyçe e deputetëve të secilës forcë politike shqiptare, duke kundërshtuar kështu akuzat e ngritura nga Prokuroria e për më tepër kërkesën për të dënuar secilin ish-udhëheqës politik me nga 45 vite burg secili.
“Kuvendi verën me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb që kreu spastrim etnik dhe krimeve të njerëzimit kundër popullit të Kosovës“, tha Hasani, duke nënvizuar që e “vërteta historike nuk mund të cenohet”.
Kumbaro: Mijëra punonjës në arsim përkushtohen çdo ditë për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro gjatë interpelancës së sotme në Kuvend të kërkuar mbi dhunën në shkolla, prezantoi planin e masave institucionale për të garantuar sigurinë në shkolla, mbështetjen psikologjike dhe këshillimin e karrierës për mbi 355 mijë nxënësit e sistemit parauniversitar duke theksuar rëndësinë e të trajtuarit të sfidave duke marrë pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë, nga familja tek institucionet.
“Po flasim për një sfidë globale që, në forma të ndryshme, po përjetohet nga të gjitha shoqëritë, dhe që lidhet drejtpërdrejt me dinamikat që shoqërojnë ndryshimin e botës ku rriten fëmijët tanë: E kam fjalën për hapjen pa limit te botes virtuale qe thyen gjithë kodet e komunikimit dhe zhbën konvencionet etike të shoqërive mbi të cilat ngrihen dhe rregullat e sjelljes në shoqëri. Dhe patjetër është një sfidë globale. Por është një sfide që, në Republikën e Shqipërisë, do të duhet ta trajtojmë të gjithë ne bashkë aktorët socialë, politike, ekonomike, mediatike, nga familja e deri te shteti- si një kauze për bashkim forcash, dhe jo si sebepin e radhës për politiken e çastit.
Kemi 355 mijë e 510 fëmijë në sistemin tonë parauniversitar nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Janë mbi 30 mijë mësues që punojnë sot me përkushtim në të 1498 shkollat e sistemit parauniversitar. Janë po ashtu 2670 mësues ndihmës që japin sot kontributin e tyre ne te gjithë këtë rrjet per te siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi te veçanta brenda të njëjtit sistem, ku numri i fëmijëve me aftësi ndryshe për vitin 2025-2026 është rritur me 6,8% për një total prej 6073 fëmijë, përkundër rritjes së numrit të mësuesve ndihmës me 8%“, tha Kumbaro…(Lexo më shumë)
Koçiu-Berishës: E ke në gen të derdhësh gjak…
“Gënjeshtar patologjik, e ke në gen të derdhësh gjak”, kështu iu drejtua Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, kryedemokratit Sali Berisha.
Pas saj, foli edhe ish-ministri Ervin Hoxha.
“Gojë përdalave nuk duhet t’u përgjigjesh kurrë! Urdhëroni si thotë kjo zonja adresë, se ai vetë e ka quajtur, fatin e atij do pësosh edhe ti, të atij Hoxhajt që foli. Mos bëni mbrojtjen e krimit”, ishte replika e Berishës.
Retorikë e ashpër në Parlament
Deputetja Evis Kushi bëri thirrje që kolegët në sallë të distancohen nga gjuha fyese dhe seksiste sipas saj e kryedemokratit Sali Berisha.
“Nuk mund ta mbajmë këtë turp!”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, deputetja socialiste Sara Mile, iu kundërpërgjigj Berishës me një gjuhë mjaft të ashpër.
“Meqë na përmende mbrojtjen e prapanicës, po ti që ke një jetë që nuk u lodhe për atë prapanicën tënde, ti e këta?!”, tha Mile.
“U tërbuat për një fjalë, po sikur të thoja dollapët unë?!”
Kryedemokrati Sali Berisha foli sërish në foltore.
“U tërbuat për një fjalë që ishte nga më të përzgjedhurat, po sikur të thoja dollapët, ç’a do thonit ju?”, iu drejtua ai kundërshtarëve politikë.
“20 shkurti është fundi juaj”, i paralajmëroi ai socialistët, referuar protestës së radhës të opozitës.
Berisha: Shkresa për gjyqin në Hagë, po përdoret si ‘mburojë’ për…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka një opinion ndryshe kur vjen puna te kërkesa e Partisë Socialiste për gjyqin “e padrejtë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Përdorimi i udhëheqësve politike të Kosovës nga kriminelë ordinerë si mburojë është akt i shëmtuar. Unë kam shprehur pikëpamjet e mia lidhur meprocesin. Por kjo tregon sa të ulët janë këta dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Nëse kjo do të ishte serioze, nuk do të dilte kur deputetët floën për Ballukun”, deklaroi ai jashtë ambienteve të Parlamentit.












Botërori 2026 
