“Është shumë aktuale në çdo kohë”

Shfaqja “Revizori”, pas suksesit që pati në Teatrin e Durrësit, mbrëmjen e sotme do të ngjitet në skenën e Ar Turbinës. Bëhet fjalë për një nga veprat më të mëdha të shkrimtarit rus, Nikolaj Gogol, e vënë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në vitin 1972.

Ajo rikthehet pas 48 vitesh, nën regjinë e Driada Dervishit, si një komedi sarkastike, plot situata sa të pamundura aq edhe me humor. Për të diskutuar për të pasditen e sotme, të ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishin regjisorja Driada Dervishi dhe aktorja Suela Bako.

“Ka shumë ndryshime për hir të së vërtetës, ndryshime që kanë hasur dhe shumë debate. Ka qenë një proces disi i vështirë dhe i lodhshëm për hir të së vërtetës, sepse unë doja të bëja një risjellje të Shqipërisë po themi, se ashtu si ai luan shumë bukur me alegorinë. Që në momentin që e shkruan, ai në fakt flet për gjithë Rusinë vetë Gogoli, por ndërkohë e vendos në një fshat qytezë të humbur fare. Kjo ishte një gjë, le të themi ngacmimet e para, pse e doja pikërisht këtë vepër. Ajo ka shumë variante, se vetë Gogoli ka bërë dy-tre rishikime të saj dhe unë u përpoqa të merrja 3 variantet më të bukura, një anglez, një amerikan dhe atë të Gogolit, për të sjellë variantin shqiptar“, tha regjisorja Dervishi.

Suela Bako vjen në rolin e një zëdhënëse për shtyp që dëshiron të bëhet kryetare.

“Është shumë aktuale në çdo kohë, por gjithsesi lëvizin gjërat. Është një vepër e shkruar më shumë se 100 vjet më parë. Dhe nuk lëviz fenomeni, por lëvizin shoqëritë të cilave u adresohet, apo statuset e qeverive, bashkive apo komunave. Sepse vepra është vënë në kushtet relativisht të një diktature, të Carit të madh. Kjo provinca e vogël ishte në fat Rusia e Madhe. Kështu që të tjerët më vonë e kanë marrë këtë përshtatje dhe e kanë konceptuar se i drejtohet një vendi të tërë, jo më një province të vogël“, shprehet Bako./tvklan.al