Prej orës 16:00 e në vijim, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës do të këtë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Shkak është protesta që pritet të zhvillohet rreth orës 16:30 para godinës së bashkisë.

“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e sotme, 30 prill 2024, ora 16:30, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës”, njoftoi policia.

Për këtë arsye, policia sugjeron përdoruesit e mjeteve që të përdorin rrugë alternative si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Kujtojmë se para godinës së Bashkisë janë zhvilluar edhe protesta të tjera pas arrestimit të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të saj. Po ashtu, nuk ka munguar përdorimi i molotovëve. Prandaj policia apelon që të mos hidhen mjete të tilla në drejtim të bashkisë pasi rrezikojnë jetën e policëve, por edhe vetë protestuesve.

“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë dhe pjesëmarrësve në tubim përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”, njoftoi policia./tvklan.al