Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për një samit vendimtar, ku do të diskutohet një nga çështjet më të ndjeshme të luftës në Ukrainë, përdorimi i miliarda eurove nga asetet e ngrira ruse për të financuar nevojat ushtarake dhe ekonomike të Kievit.
Rreth 210 miliardë euro pasuri ruse janë të ngrira në Bashkimin Evropian, shumica e tyre të depozituara në institucionin financiar Euroclear, me seli në Belgjikë. Deri më tani, Belgjika dhe disa shtete të tjera anëtare kanë shprehur kundërshtimin për përdorimin e drejtpërdrejtë të këtyre fondeve.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se nuk ka mundësi më të mirë se kjo.
“Ju e dini qëndrimin tim, dëshiroj që ne të përdorim asetet e ngrira ruse për këtë qëllim. Nuk shoh ndonjë mundësi më të mirë se kjo. I kuptoj shqetësimet që kanë disa shtete anëtare, veçanërisht qeveria belge, por shpresoj që t’i zgjidhim ato së bashku dhe që të nisim një rrugë të përbashkët për t’i treguar Rusisë forcën dhe vendosmërinë e Bashkimit Evropian. Reagimet e presidentit rus në orët e fundit tregojnë se sa e nevojshme është kjo”.
Ndërsa Rusia ka paralajmëruar BE-në që të mos prekë paratë e saj dhe ka paditur Euroclear në një gjykatë në Moskë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë për një zgjidhje diplomatike. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është më afër se kurrë.
Zyrtarë amerikanë dhe rusë pritet të takohen këtë fundjavë në Miami, ndërsa edhe delegacioni ukrainas ndodhet në SHBA.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
