Agjencia Standard & Poor’s rrit vlerësimin e Shqipërisë në BB, me perspektivë të qëndrueshme, falë përmirësimit të pozicionit fiskal, nga BB minus që ishte vlerësimi i mëparshëm.

Ky është rishikimi i dytë në rritje brenda një viti dhe sipas agjencisë, vendimi ka reflektuar performancën e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit gjatë viteve të fundit.

“Investimet e larta neto të huaja direkte, remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të larta gjeopolitike dhe pasigurive në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti”, shprehet agjencia Standard & Poor’s.

Standard & Poor’s parashikon që rritja reale e Prodhmit te Brendshem Bruto të Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi.

Kjo agjenci vlerëson se me politikat e ndjekura borxhi bruto i qeverisë ka rënë në rreth 55.4% të PBB-së në vitin 2024, nga 65.7% në vitin 2019.

Duke pasur parasysh projeksionet fiskale, parashikohet që nivelet e borxhit të vazhdojnë të ulen, duke arritur rreth 51.7% të PBB-së deri në vitin 2028.

Tv Klan

/tvklan.al