Një nga grupet shqiptare më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës është goditur në një operacion të përbashkët të SPAK, antimafias italiane dhe prokurorisë së Barit.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, në total u lëshuan 52 urdhër arreste, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë që vepronin në vendin tonë dhe në Itali. Janë ekzekutuar 42 masa, 30 prej tyre në Shqipëri.

Gjatë operacionit të Koduar “Ura” u prangosën anëtarë të kësaj organizate, policë dhe biznesmenë.  Organizata me qendër në Durrës operonte që prej vitit 2020 dhe u zbulua nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin Sky Eç. Kreu i SPAK, Altin Dumani e cilësoi këtë grup si një nga më të mëdhenjtë e trafikut të drogës.

“Grupi ynë i hetimit dhe kolegët italianë konkludojmë se është një nga grupet më të rrezikshme qoftë nga pushteti financiar që kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për t’i shpërndarë në Evropë, kryesisht në Italisë e vende të tjera të Evropës. Qendra e grupit ishte qyteti i Durrësit dhe nëngrupeve”, tha Dumani.

Sipas SPAK, trafiku i drogës kap një vlerë rreth 7 milionë Euro, ndërsa janë kryer 30 aksione sekuestrimi në Itali dhe 10 në Shqipëri, por dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Gjatë hetimit janë sekuestruar 3 milionë Euro kesh, 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.

Michele Carbone, Drejtor i Antimafies italiane, theksoi se personat e përfshirë kishin kontakte që shkojnë përtej Italisë e Shqipërisë.

“Ka kontakte që shkon përtej vendeve tona, me Europën e Veriut, Amerika e Jugut, por edhe vende të tjera. Nëse rezultatet e djeshme u realizuan është sepse ka pasur një punë të rëndësishme skuadre që ka pasur si aktorë jo vetëm policinë gjyqësore, por dhe kolegët e policisë shqiptare”, shprehet Michele Karbone.

Në operacionin ‘Ura’ që u zhvillua në Shqipëri morën pjesë rreth 350 forca policie, ndërsa hetimet u drejtuan nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara.

Klan News