Një kompani e drejtuar në mënyrë të fshehur sipas SPAK nga Mariglen Qato, ish-drejtor i IMT dhe Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve, fitoi që prej 2016 deri në 2020 tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme çuan në qeli të dy ish-drejtorët, të dyshuar se u përfshinë në korrupsion dhe fshehje të pasurisë.

Në kuadër të të njëjtit hetim një masë e dytë sigurimi u lëshua edhe për Taulant Tushën, ish-drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike, me dyshimet se ka shkelur barazinë në tendera duke favorizuar kompaninë e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, “5D Konstruksion”. Tusha ndodhet në qeli për shkak të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Në masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur u vunë nën hetim zyrtarisht edhe 6 persona të tjerë. Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK thotë se hetimet e kryera treguan se nga viti 2016 deri në 2020, gjatë kohës që Redi Molla, mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, kjo shoqëri ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 tendera të shpallura nga Ujësjellës Kanalizimet.

4 tendera të tjerë e njëjta kompani i ka fituar në kohën kur Mariglen Qato mbante detyrën e Drejtorit të Departamentit Mbështetës pranë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe autoritetit kontraktor ishte kjo e fundit. Ndërkohë, SPAK thotë se ish-zyrtarët e Bashkisë, Taulant Tusha dhe anëtarë të komisioneve që vlerësonin tenderat kanë shkelur rregullat në disa raste duke favorizuar kompaninë e Qatos dhe Mollës.

Në shkelje të ligjit, Prokuroria thotë se kjo kompani gjithashtu ka fituar tendera edhe nga Tirana Parking dhe Klubi Sportiv Tirana. Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht dhe më pas u bashkuan në një të vetme me një kallëzim të Partisë Demokratike.

Tv Klan