Tjetërsimi i pronave në Durrës nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, SPAK dërgon në gjyq 8 të pandehur. Sipas SPAK, hetimi ka provuar se të pandehurit Vullnet Muça dhe Aleksandër Laho kanë krijuar dhe drejtuar një strukturë të mirëfilltë kriminale, në bashkëpunim me persona të tjerë për kryerjen e disa krimeve kundër pasurisë.

“Të pandehurit kanë bërë të mundur që të falsifikojnë masivisht dokumente të pronësisë së paluajtshme, t’i regjistrojnë ato në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës, duke përvetësuar qindra mijëra metra tokë në zonat e bregdetit. Aktiviteti kriminal është shtrirë në vite dhe është mbështetur nga zyrtarë të ndryshëm, të cilët kanë pasur si detyrë hartimin e dokumenteve të pronësisë dhe më tej regjistrimin në AKSH”, sipas SPAK.

Prokuroria e Posaçme po ashtu thekson se të pandehurit e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal në zonën Shijak-Kepi i Rodonit. Për të arritur qëllimin e tyre, tjetërsimin e pronave përmes falsifikimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë shfrytëzuar njohjet dhe influencën e tyre në këtë zonë. Po ashtu ata kanë arritur të identifikojnë familjet bujqësore, kryefamiljarët e të cilave ishin në moshë të madhe, me nivel arsimor të ulët dhe në gjendje të vështirë ekonomike. Grupi i drejtuar nga Rrumi dyshohet se ka bashkëpunuar me punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës.

“‘Modus operandi’ i grupit përfshinte: falsifikimin pjesor të AMTP-ve, duke shtuar një ose më shumë parcela bujqësore në dokument, veprim që ndiqej me futjen dorazi në ish-Z.V.Rr.P.P të dokumenteve tërësisht të falsifikuara, si shkresë përcjellëse e falsifikuar e bërë sikur është prodhuar nga Komisioni i Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës. Janë prodhuar harta treguese të regjistrimit tërësisht të falsifikuara si pjesë integrale e Çertifikatave për Vërtetim Pronësie. Në vijim është prodhuar një referencë tërësisht e falsifikuar, të cilave u kanë vendosur numra fiktivë, shpeshherë të dubluar me numra të referencave të rregullta”, sipas SPAK.

Po ashtu janë vënë nën sekuestro preventive disa pasuri të paluajtshme dhe tokë me një sipërfaqe totale rreth 690 hektarë.

Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara në këtë procedim penal, duke iu referuar çmimit të kontratave të ngjashme në zonën e përmendur, është në vlerën rreth 17 milionë euro.

Klan News

/tvklan.al