Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme thonë se policia nuk zbatoi detyrën dhe cenoi punën e tyre duke mos marr asnjë masë për zhvillimin e tubimit në 12 shkurt, në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj, gjatë seancës për verifikimin e masës së sigurisë. Në një shkresë, ata kërkojnë të nxirren përgjegjësitë administrative dhe ligjore.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë”, njoftoi GJKKO.

Referuar GJKKO-s dhe SPAK, Garda, institucioni përgjegjës për sigurinë e ambienteve të brendshme të institucionit dhe asaj fizike të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ka kërkuar ndihmën e Policisë, por nuk ka marrë përgjigje.

“Nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit”, tha GJKKO.

Për Strukturën e Posaçme, policia kontribuoi në pengimin e detyrës së tyre.

“Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrative”.

Mëngjesin e 12 Shkurtit dhe pasditen e po të njëjtës ditë, mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj u mblodhën në një tubim përballë Gjykatës së Posaçme, duke bllokuar hyrjen kryesore të saj, teksa në përfundim të seancës, ndaluan edhe kalimin e furgonit që shoqëronte kryebashkiakun drejt bllokut të sigurisë.

Tv Klan