Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra  dhe u vu nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi SPAK e vuri nën hetim për dy vepra penale.

Masat u dhanë nga Gjykata e Posacme, me kërkesë të SPAK, por nuk janë ekzekutuar ende, pasi Hyseni nuk ndodhet në Shqipëri.

SPAK njoftoi zyrarisht se ajo është e dyshuar për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit që parashikon një dënim deri në 7 vjet burg dhe nxjerrjes së akteve apo të dhënave sekrete, që parashikon dënimin deri në 5 vjet.

“Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar,  ka caktuar masën e sigurimit  “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Hetimet ndaj shefes së SHISH u kryen në kuadër të dosjes së njohur për publikun si AKSHI, në qendër të të cilës, Prokuroria ka biznesmenin Ergys Agasi, si drejtues i një grupi kriminal që paracaktonte tenderat në këtë institucion, i përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe rrëmbim personi.

SPAK ka dyshime se Hyseni e ka favorizuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga Prokuroria e Posacme.

Si pjesë e të njëjtit hetim, SPAK ushtroi kontrolle në banesë dhe kontroll personal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili u mor edhe në pyetje dhe u pa të linte zyrat e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 9:30 të kësaj të marte.

Me të njëjtat akuza, SPAK vuri në “arrest në burg” edhe punonjësin e policisë, Fatjon Kalluci, Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore dhe punonjësin e një agroturizmi në Durrës, Embro Sulejmani.

Kontrolle u ushtruan edhe në disa zona të tjera në Durrës, në kompleksin e vilave që ndodhen në adresën kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit.

Vlora Hyseni erdhi në krye të SHISH prej marsit 2023, duke pasuar Helidon Bendon.

Më herët, prej vitit 2019, ajo kishte mbajtur detyrën e zëvendësdrejtoreshës se Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën.

SPAK tha se kishte pasur mbështetjen e policisë së shtetit në ekzekutimin e këtyre vendimeve, ndërsa hetimet për këtë dosje vijojnë. 

/tvklan.al