Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të martë se i komunikoi ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku 5 akuza.
Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK sqaroi se këto janë akuzat përfundimtare ndaj Ballukut, e cila prej disa muajsh ishte vënë në hetim.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë). “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive”, (dy herë) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”,(për dy pasuri të paluajtshme)”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndërkohë, avokati Ardian Kalia, i cili shoqëroi ish zëvendëskryeministren, në dalje nga SPAK tha se do të kishte edhe një shtyrje tjetër hetimesh.
“Jemi në fazë hetimesh kaq mund të them, do ketë edhe një zgjatje hetimesh”, tha avokati i Ballukut, Ardian Kalia.
Prokuroria e Posaçme në komunikimin zyrtar, tha se po vijon veprimet për t’u komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
/tvklan.al












Botërori 2026 