Me urdhër të Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion, SPAK zhvilloi sot, më 22 shtator, kontrolle në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.

Gjykata ka urdhëruar kontroll banese dhe kontroll personal për Prodën. Ky i fundit është thirrur dhe në SPAK, ku është paraqitur mëngjesin e sotëm.

Ndërkaq, për drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, si dhe është pezulluar nga detyra. Hyseni akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Zyrtarja e lartë nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri…(Lexo më shumë)

Në kuadër të hetimit, janë dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” edhe për shefin e laboratorit shkencor të policisë në Tiranë Fatjon Kalluci dhe punonjësin e një biznesi në Durrës. Po ashtu, janë kryer kontrolle dhe në banesat e tyre.

Dyshohet se ata mund ta kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmanget arrestimit të policisë për një kohë të gjatë.

Po në kuadër të dosjes së AKSHI-t më 26 gusht u arrestua Ergys Agasi në zonën e Plepave në Durrës. Në momentet e arrestimit, ishte në shoqërinë e ish-efektivit Uljan Shpataraku.  

Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Po për çështjen e AKSHI-t, u arrestua në Francë më 28 korrik edhe Ermal Beqiraj, që ndodhej në kërkim nga SPAK. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Beqiraj akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe është përmendur në hetimet që lidhen me këtë dosje.

Ndaj Beqirajt, SPAK ka sekuestruar 11 pasuri, kryesisht apartamente, truall, makina dhe mjete lundruese, subjekte si dhe llogari bankare.

Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhen drejtuesja e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në “detyrim paraqitje”.