Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar sot në 9 mars raportin vjetor për vitin 2025, ku evidentohen sfidat kryesore me të cilat përballet vendi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dokumenti thekson se korrupsioni në nivele të larta të administratës dhe aktiviteti i grupeve kriminale të strukturuara mbeten ndër problemet më serioze për Shqipërinë.
Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit, duke u përfshirë kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit.
Gjatë vitit 2025, sipas raportit, shuma e përgjithshme e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara arrin rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, pjesa më e madhe i përket pasurive të sekuestruara, të cilat kapin vlerën rreth 43.49 milionë euro, që përbëjnë afërsisht 96% të totalit. Ndërsa pasuritë e konfiskuara kanë një vlerë prej rreth 1.91 milionë euro, ose rreth 4% të shumës së përgjithshme.
Në totalin e pasurive të sekuestruara përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutës TETHER (USDT), me një vlerë të barasvlershme prej 14.5 milionë dollarësh, ose rreth 12.4 milionë euro, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Sa i përket veprave penale të lidhura me krimin e organizuar, vlera e pasurive të sekuestruara arrin rreth 42.4 milionë euro, ndërsa pasuritë e konfiskuara për këtë kategori kanë një vlerë prej rreth 1.8 milionë euro. Ndërkohë, për çështjet që lidhen me zyrtarë të lartë, pasuritë e sekuestruara kapin vlerën rreth 1.1 milionë euro, ndërsa ato të konfiskuara arrijnë rreth 100 mijë euro.
Lufta kundër krimit të organizuar
Siç vihet re në raport, në vitin 2025, numri i çështjeve dhe hetimeve të regjistruara ka qenë më i ulët sesa në vitin 2024. Ndërsa, çështjet e përfunduara kanë shënuar një rritje me 3.4 përqind.
“Në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025, edhe pse numri i çështjeve dhe hetimeve në regjistruara është më i ulët krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje me 3.4 përqind (nga 58 në 2024, në 60 në vitin 2025). Ky tregues konfirmon vijimësinë e një trendi rritës (gati të dyfishuar), që dëshmon përmirësim të qëndrueshëm krahasuar me të dhënat statistikore të viteve 2022 dhe 2023. Këto të dhëna tregojnë rritjen e angazhimit të SPAK gjatë vitit 2025, për përfundimin e hetimeve të çështjeve të lidhura me krimin e organizuar, duke reflektuar një qasje të vendosur ndaj veprave penale, që lidhet me grupet kriminale të strukturuara si dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Të dhënat krahasuese për periudhën 2024 dhe 2025 tregojnë gjithashtu një rritje me 11.5 përqind të personave nën hetim dhe 36.6 përqind të personave të dërguar në gjykatë, çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale. Nga ana tjetër, rritja e pezullimeve me 93.7 përqind dhe ulja e lehtë e çështjeve të dërguara në gjykatë me 14.3 përqind evidentojnë sfidat procedurale dhe nivelin e kompleksitetit të çështjeve. Megjithatë, në tërësi treguesit paraqesin një qasje më të thelluar dhe më të fokusuar të ndjekjes penale”, thuhet në raportin e SPAK.
Lufta kundër korrupsionit, rritje me 17.7 përqind të hetimeve të reja
Struktura e Posaçme shprehet se ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7 përqind të çështjeve apo hetimeve të reja dhe 12.2 përqind të çështjeve/hetimeve të përfunduara.
“Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7 përqind të çështjeve apo hetimeve të reja dhe 12.2 përqind të çështjeve apo hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur, për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 personave nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim gjatë gjatë vitit 2025, mbi 50 përqind e tyre, (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike. Sipas të dhënave statistikore, evidentohet niveli i lartë i besimit të publikut tek SPAK, Në 2025, hetimet e nisura me kallëzim nga shtetas zënë rreth 33.5 përqind të totalit të procedimeve të filluara gjatë vitit 2025”, thuhet më tej në raport.
Problematikat e SPAK: Është rritur kërcënimi nga krimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka evidentuar disa vështirësi kryesore në funksionimin e saj, të cilat sipas institucionit mund të kërkojnë edhe ndryshime ligjore, madje deri në nivel kushtetues, për të siguruar një funksionim më cilësor dhe efikas të aktivitetit të tij.
Institucioni thekson se ka një rritje të kërcënimeve që vijnë nga krimi, mungesë qartësie ligjore lidhur me përfundimin e mandatit të prokurorëve, si edhe nevojë për përmirësim të bashkëpunimit me institucione të tjera brenda vendit dhe me partnerë ndërkombëtarë.
1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.
2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase.
5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
6. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.
8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë
Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”.
Lufta kundër pastrimit të parave
SPAK në raportin e saj për vitin 2025 thekson se vazhdon që të përforcojë mbajtjen e të dhënave për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e formës së prerë në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin.
“SPAK vazhdon forcimin e mbajtjes të të dhënave për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e formës së prerë në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e Bashkimit Europian, si dhe duke rritur kapacitetet për parandalimin e krimit të organizuar dhe duke siguruar përafrim të mëtejshëm me acquis të BE-së, veçanërisht në lidhje me kriminalizimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, online dhe offline”, thekson raporti.












Botërori 2026 
