Gjatë 2025-ës, Prokuroria e Posaçme sekuestroi dhe konfiskoi 45,4 milionë euro pasuri dhe asete të cilat rridhnin nga krimi i organizuar apo korrupsioni.

Siç bëhet me dije në raportin e vitit që lamë pas, një pjesë e kësaj pasurie është bllokuar në kriptovalutë dhe peshën më të madhe e zënë të ardhurat nga aktiviteti i grupeve kriminale.

“Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 18 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100 mijë euro”.

SPAK thotë se ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit, teksa hetimet për krimin e organizuar mbeten më të larta.

“SPAK: Sa i përket luftës kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, gjatë vitit 2025 janë hetuar nga SPAK 27 procedime penale me 30 persona nën hetim apo të pandehur, të cilët janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 261 procedime penale, me 445 persona nën hetim. Këto hetime janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit”.

10 janë problematikat me të cilat është hasur Prokuroria e Posaçme gjatë 2025-ës dhe që kërkon të adresohen, mes tyre edhe retorika politike ndaj saj.

“SPAK: Retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do t’i konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional që do të synonin kufizimin e mjeteve procedurale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës”.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme kërkon të qartësohet statusi i prokurorëve të kësaj strukture pas përfundimit të mandatit.

Tv Klan

/tvklan.al