SPAK në bashkëpunim me policinë i kanë sekuestruar vëllezërve Florenc dhe Hajdar Çopja 1 milionë euro kesh. Paratë u zbuluan nga kontrollet në 8 ambiente të ndryshme. Gjithashtu i janë sekuestruar dhe 42 pasuri, 38 prej tyre, të paluajtshme.

Prokuroria e Posaçme në njoftimin për mediat në lidhje me aksionin Plumb i artë, thotë se dy vëllezërit investonin paratë e fituara nga trafiku i drogës, kryesisht në blerje vilash, apartametentesh, restorante e sipërfaqe tokash. Këto prona janë në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

SPAK thotë se vëllezërit Çopja, nëpërmjet personave të tretë, kanë investuar shuma të konsiderueshme monetare edhe ne sektorin e ndërtimit.

Hajdar Çopja është i ndaluar në Dubai për plagosje të rëndë, ndërsa Franc Çopja është ekstraduar ne Belgjikë.

SPAK zbardhi ditët e fundit 5 ngjarje të rënda kriminale me 6 viktima, krime që erdhën për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Njëra prej tyre njihet si masakra e Bardasheshit, ngjarje e ndodhur në 28 dhjetor të 2018. Humbi jetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Po ashtu janë zbuluar ekzekutorët e Klevis Kapllanit, ngjarje e ndodhur në Rrogozhine në 15 shtator të 2020.

SPAK ka zbardhur edhe atentatin ndaj dy vëllezërve Baho, ngjarje e ndodhur në 1 Korrik të 2019 në Elbasan. Në atë ngjarje mbeti i vrarë Klevi Baho ndërsa u plagos i vëllai Aleksandri. Sipas burimeve të Klan News është zbardhur dhe vrasja e Andi Zylyfit në 13 dhjetor të 2019 dhe biznesmenit Irfan Hazizi, i cili u ekzekutua në nëntor të 2020 në Berat.

Mes personave që është firmosur urdhër-arrest është edhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, me masë sigurimi arrest në shtëpi. Po ashtu edhe dy oficer policie, njëri prej tyre Agustin Cinari shefi i krimit ekonomik ne policinë e Durrësit. Në pranga ra edhe zëvendës drejtori i Burgut të Bradasheshit Martin Musaj.

Klan News