Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarë një operacion në Devoll duke bërë kontrolle në banesën e D. A, ish-punonjës i AMP së juglindjes.

Ai dha dorëheqjen pak kohë më parë ndërsa dyshohet se operacioni po zhvillohet për arsye të elementëve penalë për shpërdorim detyre.

Një tjetër i dyshuar është dhe K.XH, ish-drejtor i Policisë Bashkiake si lidhje shoqërore e D.A.

Gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, raporton se janë caktuar disa masa sigurie si “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Njoftimi i AMP-së:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të një procedimi penal të ndjekur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe në zbatim të vendimeve të gjykatës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal të caktuara ndaj shtetasve G. A, K. H dhe D.A

Në zbatim të vendimit gjyqësor, ndaj shtetasit G.A është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Ndaj shtetasit K.H janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai është detyruar të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 11:00, si dhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor.

Ndaj shtetasit D. A është caktuar masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 12:00.

Gjatë operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata, ndërsa me urdhër të autoritetit procedues janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave me interes për hetimin.

Shtetasit G. A, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dhe D.A, ish Shef Sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata.

/tvklan.al