Hetimet e thelluara të SPAK kanë zbuluar aleancat e nëndheshme të botës së krimit. Në dosje janë faktuar lidhjet e grupeve kriminale, interesat financiare dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve. Në dosjen e cila njihet si “Metamorfoza 2” dokumentohet aleancë e krijuar mes ish-bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj dhe ish-deputetit Arben Ndoka.

Në foto: Ervis Martianj

SPAK bën me dije se Martinaj dhe Ndoka kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit për ekzekutimin e Fatmir Hysenit, të njohur me pseudonimin “Doqja”. Kjo hakmarrje kërkohej pasi ai dyshohet se vrau mbrëmjen e 27 Gushtit të 2019 Santiango Malkon në Tiranë, një nga njerëzit më të besuar të Martinajt.

Në foto: Santiago Malko

Martinaj kërkoi ndihmën edhe te Viktor Imerit për realizmin e planit, i cili qëndroi në liri vetëm një vit pasi u arrestua sërish si i dyshuar për vrasje të ndodhura në vitit 2005. Në aleancën e lidhur, SPAK thotë se ish-bosi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur që prej 9 Gushtit të 2022, do të ndihmonte ish-deputetin Arben Ndoka për të kryer vrasjen e Durim Bamit, një tjetër eksponent i njohur në botën e krimit, në shenjë hakmarrje pasi dyshonte se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të tij në vitin 2017.

Në foto: Durim Bami

Për realizmin e këtij krimi, ata kanë kërkuar ndihmën e Emiljano Shullazit dhe grupit të Avdylajve të cilët në atë kohë ishin në  paraburgim, për ngjarje të tjera kriminale. Angazhimi i Emiljano Shullazi për këtë ngjarje nga paraburgimi solli përfshirjen e personazheve të tjere të botës së krimit për kryerjen e këtij ekzekutimi të kërkuar.

Në foto: Emiljano Shullazi

Po ashtu, Shullazi nëpërmjet kontakteve të tij që kishte jashtë qelive të burgut siguronte informacione për lëvizjet e Durim Bamit dhe informonte Arben Ndokën. Por edhe nga ana tjetër, Durim Bami i njohur si i forti i Niklës po përgatiste aleanca të reja për të përballuar një sulm të mundshëm. Ai krijoi aleancë me Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, rivalë të përbetuar të Ervis Martinajt. 

Në foto: Leonard Duka

Bami me ndihmën e grupit Duka synonte ekzekutimin e kundërshtarit të përbashkët, Ervis Martinajn dhe grupin e tij si dhe Arben Ndokën. Por kjo përplasje duket se shkaktoi shumë viktima mes njerëzve më të afërt të Martinajt përmes disa atentateve dhe ekzekutimeve të rënda gjatë 4 viteve të fundit.

Në foto: Ish-deputeti Arben Ndoka

Gjatë hetimeve që ka kryer SPAK për 4 procedime penale, që u bashkuan në një të vetme, është firmosur edhe urdhër-arresti për përplasjet mes dy fiseve në Mirditë mes Gjinve dhe Reçve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Edison Reçi, nipi i Kastriot Reçit i ekzekutuar me snajper në qendër të Rrëshenit më 7 Janar të 2020, për qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini. Ngjarja ka ndodhur më 15 Shtator të 2020.

Në foto: Preng Gjini

Gjini mbeti i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte.

Për këtë ngjarje sipas SPAK, Edison Reçi ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit Enver Diva, Besian Xhixha edhe disa të tjerë të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e Preng Gjinit. Edison Reçi është ndihmuar nga ish-Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, Klodian Shahini i cili i jepte informacion në lidhje me lëvizjet që kryente Preng Gjini. 

Në foto: Besian Xhixha dhe Enver Diva

Këto janë një pjesë nga dosja hetimore dhe zbërthimi i disa prej aleancave që sollën disa viktima dhe ngjarje që tronditën opinionin publik. Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre.

Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore. Gjatë këtij operacioni SPAK ka zbuluar edhe disa ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në vendin tonë gjatë vitit 2020 dhe 2021. 

Klan News