Spanja dislokoi ushtrinë në Ceuta, në kufirin e saj me Marokun, ku mijëra emigrantë janë dyndur dhe gjenden tashmë në enklavë, raportoi El Mundo.
200 oficerë policie të specializuar dhe 60 trupa ushtarake u erdhën në ndihmë forcave të sigurisë në Ceuta, ndërsa Ministria e Brendshme spanjolle tha se rreth 49,000 migrantë kanë hyrë në qytet nga deti dhe toka.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pritet te mberrije ne Ceuta me vone te premten, për t’u takuar me përfaqesuesit e sigurise.
Të paktën 19 emigrantë humbën jetën duke u përpjekur të arrijnë në enklavën spanjolle.
Edhe pse kalimi kufitar ishte i bllokuar, grupe emigrantësh, mes tyre gra dhe fëmijë, lëvizën përgjatë bregdetit duke kërkuar rrugë përtej gardhit dhe disa u përgatitën të notonin.
Autoritetet marokene gjithashtu përforcuan sigurinë dhe vendosën autobote për të ndaluar emigrantët të afroheshin.
Reuters raportoi se pati përplasje midis autoriteteve dhe emigrantëve, ndërsa disa automjete u dogjën.
Ceuta, së bashku me Melillën, një tjetër qytet autonom spanjoll në Marokun verior, përfaqëson kufirin e vetëm tokësor të Bashkimit Evropian me Afrikën.
Të dy qytetet përballen vazhdimisht me përpjekjet e emigrantëve për të kaluar në Europë. Autoritetet në Melilla thanë se të paktën 400 emigrantë kaluan kufirin ditët e fundit.
Kryebashkiaku i Ceutës, Juan Jesus Vivas, i ka kërkuar qeverisë kombëtare të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por qeveria spanjolle ka refuzuar, duke thënë se ligji nuk parashikon një masë të tillë për dyndjet e emigrantëve, të cilat nuk i konsideron rrezik për sigurinë kombëtare.
Gjykata Supreme e Spanjës vendosi më parë këtë muaj se emigrantët e kapur në det ndërsa përpiqeshin të arrinin në Ceuta ose Melilla nuk mund të ktheheshin menjëherë mbrapsht sipas regjimit të posaçëm kufitar të enklavave.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
