Spanja është favoritja kryesore për të fituar Kupën e Botës 2026. Këtë nuk e thonë kompanitë e basteve, por një model matematikor i zhvilluar nga banka amerikane Goldman Sachs.
Analiza bazohet në rreth 20 mijë ndeshje zyrtare ndërkombëtare të zhvilluara që nga viti 1978.
Sistemi merr në konsideratë renditjen të kombëtareve, formën e skuadrave, numrin e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e fundit, cilësinë e sulmit, si dhe faktorë të tjerë psikologjikë dhe gjeografikë.
Sipas parashikimeve, Spanja ka 26 për qind mundësi për të fituar trofeun. Pas saj renditen Franca me 19 për qind, Argjentina me 14 për qind, Brazili me 8 për qind dhe Anglia me 5 për qind.
Modeli vlerëson se Spanja përfiton nga forma e mirë, sulmi efikas dhe renditja e lartë. Franca penalizohet nga mundësia e një përballjeje me Spanjën në gjysmëfinale, ndërsa Argjentina ndikohet nga fenomeni statistikor i njohur si “rënia e kampionit”, që shpesh prek skuadrat fituese të edicionit të mëparshëm.
Simulimi parashikon edhe disa duele interesante gjatë turneut. Në çerekfinale mund të zhvillohet përballja Argjentinë–Portugali, e cila mund të jetë edhe ndeshja e fundit në një Kupë Bote mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
Sipas bankës amerikane, finalja do të luhet mes Argjentinës dhe Spanjës, me iberikët favoritë për të fituar titullin dhe për ta rikthyer Kupën e Botës në Evropë.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada duke nisur nga 11 qershori dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Klan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
