Spanja arriti fitoren e parë në Kupën e Botës 2026, duke mundur 4-0 Arabinë Saudite në Grupin H. Serinë e golave e hapi Yamal në minutën e 11’, ndërsa Oyarzabal realizoi dy herë brenda tre minutash, duke i dhënë Spanjës avantazhin 3-0 që në pjesën e parë. Në fillim të pjesës së dytë, aksioni i Cucurella solli autogolin e mbrojtësit saudit Altambakti për rezultatin përfundimtar 4-0. Spanja shënoi edhe një herë në minutat shtesë me Ferran Torres, por goli u anulua pas verifikimit me sistemin VAR.

Kepi i Gjelbër mbeti i pamposhtur në Botëror edhe pas ndeshjes së dytë, ku barazoi 2-2 me Uruguajin. Skuadra afrikane, që pati një tjetër paraqitje të mirë, kaloi në avantazh në mesin e pjesës së parë me Kevin Pina. Ai realizoi golin e parë historik në një fazë finale të këtij turneu, duke shënuar nga goditja e dënimit. Uruguaji reagoi në fundin e pjesës së parë: Araujo barazoi rezultatin, ndërsa në kohën shtesë ai dha pasimin për Agustin Canobbio, i cili përmbysi rezultatin në 2-1. Megjithatë, në pjesën e dytë Uruguaji humbi avantazhin pas një gabimi në mbrojtje. I sapofuturi në lojë, Hugo Varela, përfitoi dhe shënoi golin e barazimit 2-2.

Në Grupin H nuk ka ende asnjë të kualifikuar apo eliminuar dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit.

Belgjika vazhdon të zhgënjejë në Kupën e Botës, duke barazuar 0-0 me Iranin. Pavarësisht dominimit në mbajtjen e topit, skuadra e drejtuar nga Rudi Garcia krijoi pak raste dhe nuk arriti të shënonte. Irani u mbrojt mirë dhe ishte i rrezikshëm në kundërsulme, me Taremi që pati edhe një gol të anuluar. Belgjika mbeti me 10 lojtarë në pjesën e dytë për shkak të një kartoni të kuq për Ngoy. Lukaku nuk shkëlqeu, ndërsa Courtois shpëtoi portën belge në disa raste. Më i miri i takimit u shpall portieri i Iranit, Beiranvand. Me vetëm 2 pikë pas 2 ndeshjeve, Belgjika duhet të fitojë ndeshjen e fundit për të siguruar kualifikimin.

Egjipti arriti një fitore të rëndësishme 3-1 me përmbysje ndaj Zelandës së Re. Neozelandezët kaluan në avantazh pas çerek ore lojë me Surman. Më pas krijuan raste të tjera për të dyfishuar rezultatin, ndërsa Egjipti hasi vështirësi në pjesën e parë. Egjiptianët në pjesën e dytë reaguan fuqishëm: Zico barazoi në minutën e 58’, ndërsa në të 67’ Salah realizoi golin e përmbysjes. Në minutën e 82’ ishte Trezeguet autori i golit që vulosi fitoren 3-1. Me këtë sukses, Egjipti merr 3 pikë të vlefshme, por gjithçka në Grupin G do të vendoset në takimet e fundit, që gjithashtu do t’i ndiqni në TV Klan.

Tv Klan

/tvklan.al