Spanja ka shkruar historinë në Kupën e Botës 2026 falë një mbrojtjeje që deri tani ka rezultuar e pakalueshme. Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, “La Roja” mbetet skuadra e vetme në turne që nuk ka pësuar ende asnjë gol, duke hyrë në një territor ku shumë pak kombëtare kanë arritur ndonjëherë.
Historia e Kupës së Botës ka njohur skuadra dominuese dhe mbrojtje legjendare, por rrallëherë një ekip ka arritur të ruajë portën të paprekur deri në fazat me eliminim direkt. Seria aktuale e Spanjës shtrihet edhe përtej këtij edicioni, duke vazhduar një ecuri mbresëlënëse që e vendos mes rekordeve më të mira mbrojtëse në historinë e kompeticionit.
Nëse spanjollët arrijnë ta mbyllin turneun pa pësuar gol, ose edhe me vetëm një gol të pranuar, ata mund të vendosin rekordin për mbrojtjen më të fortë në historinë e Kupës së Botës.
Në qendër të kësaj ecurie qëndron portieri Unai Simón, edhe pse statistikat e tij janë disi të pazakonta. Ndryshe nga shumë portierë të tjerë në turne, ai është përballur me shumë pak goditje në portë, pasi kundërshtarët kanë pasur vështirësi të krijojnë raste të pastra shënimi.
Kjo tregon se suksesi i Spanjës nuk bazohet vetëm te pritjet e portierit, por mbi një organizim perfekt të të gjithë skuadrës. Në shumicën e rasteve, rreziku neutralizohet shumë përpara se topi të arrijë në zonën e Simónit.
Forca më e madhe e Spanjës mbetet loja kolektive. Skuadra ushtron presion të menjëhershëm sapo humbet topin, duke mos u dhënë kundërshtarëve kohë dhe hapësirë për të ndërtuar aksione. Ky kundërpresion agresiv është kthyer në armën kryesore të “La Roja”, e cila nuk mbron vetëm pranë portës së saj, por e ndalon rrezikun që në fillesë.
Distancat e shkurtra mes lojtarëve dhe rikuperimi i shpejtë i topit kanë bërë që kundërshtarët të prodhojnë shumë pak raste të rrezikshme.
Megjithatë, sfida bëhet gjithnjë e më e vështirë. Spanja përballet me Belgjikën, një skuadër që zotëron cilësi të mëdha në repartin ofensiv dhe mund të jetë prova më serioze për mbrojtjen spanjolle.
Pavarësisht kësaj, Spanja ka ndërtuar një identitet të qartë: jo vetëm që nuk pëson gola, por shpesh nuk lejon që kundërshtarët të krijojnë as kushtet për të rrezikuar.
Deri në këtë moment të Kupës së Botës 2026, “La Roja” mbetet skuadra kundër së cilës askush nuk ka arritur të shënojë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
