Spanja do të jetë kundërshtarja e Francës në një gjysmëfinale ëndrrash të Botërorit 2026. Kampionët në fuqi të Evropës mundën Belgjikën 2–1 dhe ishte sërish Merino që vendosi fatin e takimit të luajtur në Los Anxheles.

Përballja nisi pa shumë raste, me Spanjën që po kërkonte më shumë golin. Atë e arriti në minutën e 30-të. Courtois nuk arriti të kontrollonte një goditje të Dani Olmos dhe Fabian Ruiz e dërgoi topin në rrjetë. Mesfushori i PSG-së shpërbleu kështu besimin e trajnerit De la Fuente, i cili e kishte preferuar në formacion përpara Pedrit.

Skuadra e Rudi Garcia reagoi në minutën e 41-të, ku barazoi rezultatin, praktikisht me goditjen e parë në portë. De Ketelaere shënoi me kokë, duke i dhënë fund serisë pa pësuar gol të Unai Simon në këtë Botëror, që zgjati 650 minuta. Pjesa e parë u mbyll 1–1.

Në minutën e 71-të, Belgjika humbi Courtois, i cili u lëndua në këmbën e majtë dhe kërkoi zëvendësimin, duke e lënë fushën i përlotur. Lammens bëri debutimin e tij në një Kupë Bote, ndërsa Spanja hodhi në fushë edhe Merinon për të ndryshuar fatin e ndeshjes, pasi Yamal nuk po shkëlqente.

Zgjedhja rezultoi e suksesshme. Merino shënoi golin e fitores 2 minuta pasi hyri në lojë. Portieri i belgëve grushtoi dobët një goditje të Cubarsit dhe Merino realizoi një tjetër gol me peshë pas atij ndaj Portugalisë në turin paraardhës. Këtë sfidë emocionuese e ndoqët në TV Klan.

Tv Klan

/tvklan.al