Katalonja është në gjendje alarmi. Dy persona rezultojnë të zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin të shtunën pasdite.
Në qytetin Cuvellès, rreth 50 kilometra nga Barcelona, forcat zjarrfikëse janë në kërkim të një çifti të zhdukur, që dyshohet se u rrëmbyen nga ujërat e furishëm të lumit Fos. I fryrë nga shirat e dendur, ai ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar kaos në zonë.
Sipas shërbimeve të emergjencës, kërkimet po zhvillohen përgjatë brigjeve dhe grykëderdhjes së lumit, ndërsa helikopterë dhe njësi speciale janë aktivizuar për të ndihmuar në operacion.
Stuhia goditi rëndë pjesën verilindore të Spanjës, ku autoritetet shpallën alarm të kuq. Mbi 200 telefonata urgjente u regjistruan vetëm në Katalonjë, ndërsa banorët u paralajmëruan përmes mesazheve në celularë.
Në Barcelonë, një spital u detyrua të ndalojë pranimin e pacientëve të rinj pas ndërprerjes së energjisë elektrike. Ndërkohë, në aeroportin e qytetit, një avion që ishte nisur drejt SHBA-ve u detyrua të kthehej pasi pësoi dëmtime nga breshëri.
Operatori kombëtar i hekurudhave pezulloi për disa orë të gjitha shërbimet në Katalonjë: si trenat me shpejtësi të lartë, ashtu edhe ato rajonalë dhe periferikë. Shërbimet e urgjencës raportuan se kanë trajtuar mbi 70 persona, megjithatë, fatmirësisht askush nuk ndodhet në gjendje të rëndë. Alarmi i kuq u hoq pas dy orësh, por situata mbetet e tensionuar.
Përveç Katalonjës, stuhitë prekën edhe rajone të tjera si Aragona dhe Valencia. Në Tarazona, njësia ushtarake e emergjencave ndërhyri për të pastruar ujin nga rrugët dhe nënkalimet. Sipas agjencisë spanjolle të motit, ky fenomen ekstrem njihet si DANA, i cili pritet të sjellë reshje intensive dhe breshër në ditët në vijim.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 