Spanja vazhdon rrugëtimin e saj drejt trofeut të Botërorit 2026. Kampionët në fuqi të Evropës siguruan një vend në gjysmëfinale pas fitores 2-1 ndaj Belgjikës, në një sfidë ku treguan edhe një herë karakterin dhe forcën e një skuadre të madhe.
Protagonisti i mbrëmjes ishte sërish Mikel Merino. I aktivizuar vetëm pak minuta para fundit, mesfushori i Arsenalit u bë vendimtar, duke shënuar në minutën e 88-të golin e avantazhit që i dha Spanjës kualifikimin. Një histori që përsëritet për 30-vjeçarin, i cili edhe në fazën e kaluar ndaj Portugalisë realizoi si zëvendësues në minutat shtesë, duke u shndërruar në një nga heronjtë e skuadrës së Luis de la Fuente.
“Edhe në ëndrrat më të çmendura nuk do ta imagjinoja këtë që po ndodh. Të shënoja sërish në minutën e 90-të ishte diçka e jashtëzakonshme. Por gjithmonë kam besim te aftësitë e mia dhe jam i gatshëm të ndihmoj skuadrën. Jam shumë i lumtur për këtë kontribut”, pohoi Merino.
Edhe pse nuk arriti të shënonte, Lamine Yamal ishte sërish një nga protagonistët e mbrëmjes. 18-vjeçari krijoi disa raste të rrezikshme dhe konfirmoi rëndësinë e tij në lojën e Spanjës. Performanca e tij solli emocione edhe jashtë fushës, me tifozët dhe familjen e tij që festuan kualifikimin, veçanërisht vëllai i tij në tribunë.
“Jam shumë i lumtur që jemi në gjysmëfinale, ky ishte objektivi kryesor. Po rikthehem gradualisht pas dëmtimit dhe ndihem gjithnjë e më mirë. Tani presim Francën, një përballje mes dy skuadrave më të mira të turneut. Nuk kemi frikë, kemi besim se Spanja mund ta përballojë këtë sfidë”, u shpreh Yamal.
Një tjetër arsye për të buzëqeshur ishte trajneri Luis de la Fuente, i cili vlerësoi reagimin e skuadrës dhe tashmë përqendrohet te sfida e madhe ndaj Francës.
“Jam i qetë, sepse lojtarët e dinë çfarë duhet të bëjnë. Kemi shumë talent dhe jemi gati për çdo situatë. Franca është një kundërshtar i fortë, por edhe ne kemi treguar nivel të lartë. Do të na duhen përqendrim, energji dhe dëshirë për të fituar”, deklaroi De La Fuente.
Tashmë gjithçka është gati për një gjysmëfinale spektakolare mes Francës dhe Spanjës, që do të zhvillohet më 14 korrik në orën 21:00. Dy superfuqi të futbollit evropian përballë njëra-tjetrës, me vetëm një biletë drejt finales së madhe të Botërorit 2026.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 