Zgjedhjet e parakohshme të Spanjës mund ta sjellin të djathtën ekstreme në qeverinë kombëtare të vendit për herë të parë që nga fundi i diktaturës së Francisco Francos në vitin 1975.

Sipas parashikimeve të sondazheve, Partia Popullore (PP) pritet të jetë forca më e madhe me rreth 31%, ndërsa partia e së djathtës ekstreme, Vox, qëndron në nivelin e rreth 18%. Këto dy forca politike mund të formojnë një koalicion për të arritur në 176 vendet e nevojshme për një shumicë në Kongresin e Deputetëve, i cili ka gjithsej 350 vende.

Pavarësisht një rritjeje të lehtë së fundmi, që e çon në pothuajse 30%, Partia Socialiste e Pedro Sanchez pritet të renditet e dyta, por me një diferencë të ngushtë. Partitë e tjera të së majtës, të cilat do të ishin vendimtare për formimin e një koalicioni, marrin së bashku rreth 10% në sondazhe.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës, rreth 38,7 milionë njerëz të moshës 18 vjeç e lart kanë të drejtë vote.

Spanja është një monarki parlamentare. Mbreti Felipe VI është kreu i shtetit, ndërsa qeveria drejtohet nga një kryeministër, i cili i përgjigjet “Cortes Generales”, parlamentit që përbëhet nga dy dhoma: Kongresi i Deputetëve dhe Senati.

Rezultatet paraprake nga Ministria e Brendshme pritet të dalin menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa tabloja e përgjithshme pritet të jetë e qartë para mesnatës së të dielës.

Dhoma e re e ulët do të mblidhet më 23 dhjetor për të zgjedhur kryetarin e saj. Më pas, Mbreti Felipe do të propozojë një kandidat për postin e kryeministrit; zakonisht ky është kreu i partisë që ka marrë më shumë vota.

Kandidati i propozuar duhet të sigurojë një shumicë absolute prej të paktën 176 mandatesh ose një shumicë të thjeshtë në një raund të dytë. Nuk ka një afat kohor për bisedimet për koalicionin, por një qeveri e re duhet të formohet brenda dy muajve nga ai votim, për të shmangur zgjedhje të reja.

Pedro Sanchez drejton një qeveri koalicioni të pakicës, të përbërë nga Partia Socialiste Punëtore Spanjolle dhe aleanca e krahut të majtë, Sumar. Megjithatë, dy vitet e tij të fundit në pushtet janë shoqëruar nga hetime për korrupsion, në të cilat përfshihen bashkëshortja e tij, vëllai i tij dhe ish-aleatë të ngushtë.

Përballë tij qëndron Alberto Núñez Feijóo, i cili e ka drejtuar Partinë Popullore që nga viti 2022. Në zgjedhjet e një viti më pas, partia e tij fitoi shumicën e vendeve, por nuk arriti të siguronte mbështetje të mjaftueshme për të formuar qeverinë.

Vox, e ekstremit të djathtë, është bërë partia e tretë më e madhe në Spanjë, e udhëhequr nga Santiago Abascal, i cili ishte bashkëthemelues i partisë në vitin 2014, pasi u largua nga Partia Popullore. Vox bën fushatë për rregulla më të rrepta ndaj emigracionit, taksa më të ulëta dhe një qëndrim të ashpër ndaj çështjeve katalanase dhe baske.

Fronti i Gjerë, një aleancë e partive të majta, Podemos, një parti dikur aleate e Sanchez në qeveri, dhe partitë rajonale mund të bëhen faktorë të rëndësishëm për atë që do të pasojë pas votimit.

Sipas një sondazhi të “YouGov”, të publikuar më 30 tetor, çështjet kryesore që i shqetësojnë spanjollët në këto zgjedhje janë kryesisht strehimi, me qiratë e banesave që kanë arritur në 1176 euro në muaj, pothuajse të barabarta me pagën mesatare mujore të një të riu.

Emigracioni, korrupsioni, kujdesi shëndetësor dhe gjendja e ekonomisë janë çështje të tjera shqetësuese. Ekonomia spanjolle është rritur më shpejt se mesatarja e Eurozonës, por inflacioni dhe rritja e madhe e kostove të banimit bëjnë që shumë spanjollë të mos i ndiejnë këto përfitime.

Klan News

/tvklan.al