Spanja ka mposhtur Anglinë me rezultatin 2-3 në një ndeshje spektakolare të Ligës së Kombeve. Lamine Yamal i dha Spanjës avantazhin që në minutën e dytë, pas një gabimi të mbrojtjes angleze. Me këtë gol, 19-vjeçari regjistroi një tjetër rekord, pasi realizoi një nga golat më të shpejtë të pësuar nga Anglia në historinë e ndeshjeve të zhvilluara në Wembley.

Anglia reagoi në fundin e pjesës së parë. Anthony Gordon barazoi rezultatin në minutën e 36-të, ndërsa vetëm katër minuta më vonë, Harry Kane përmbysi rezultatin, duke shënuar me kokë për 2-1. Në pjesën e dytë, kapiteni anglez pati mundësinë për të realizuar golin e tretë, por goditja e tij nga pika e bardhë përfundoi në traversë, pas ndërhyrjes së VAR-it.

Spanja përfitoi nga momenti dhe barazoi rezultatin në minutën e 60-të me Alex Baena. Ndërsa në minutën e 74-t, Mikel Oyarzabal realizoi golin e përmbysjes, duke vulosur fitoren 2-3 të kampionëve në fuqi.

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, vlerësoi reagimin e skuadrës së tij.

“Ka shumë ndeshje brenda një ndeshjeje dhe ne ditëm t’i luanim të gjitha në çdo moment. Përveç atyre gjashtë-shtatë minutave, mendoj se e kontrolluam ndeshjen. Kjo tregon rrugëtimin që po ndjek kjo gjeneratë lojtarësh. Ata janë të jashtëzakonshëm dhe duan vetëm të përmirësohen.”

Në krahun tjetër, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se skuadra e tij pati mundësinë për ta mbyllur ndeshjen.

“Ishim qartësisht skuadra më e mirë, por nuk arritëm të shënonim golin e tretë. Rezultati nuk është ai që donim. Mendoj se mund ta kishim fituar këtë ndeshje. Duhet ta pranojmë, të rikuperohemi dhe të mësojmë nga ky gabim.”

Në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, Anglia do të përballet me Republikën Çeke, ndërsa Spanja do të luajë ndaj Kroacisë.

Klan News

/tvklan.al