Ish-kampioni i Botës, Vicente del Bosque është i zgjedhuri i Qeverisë për të mbikëqyrur federatën e futbollit spanjoll të përfshirë nga skandalet. Konfirmimi ka ardhur nga ministrja e Sportit spanjoll, Pilar Alegria, që i beson kështu 73-vjeçarit për të monituar lëvizjet e radhës në Federatën iberike.

Del Bosque do të drejtojë komisionin e ri të “mbikëqyrjes, normalizimit dhe përfaqësimit” të Këshillit Superior të Sporteve si pjesë e një përpjekjeje për të reformuar futbollin spanjoll. Lëvizja pasoi muaj skandalesh. Ish-presidenti, Luis Rubiales dha dorëheqjen pasi puthi në buzë futbollisten Xheni Hermoso, ndërsa nën hetim gjendet edhe presidenti i ri, Pedro Roça pasi dyshohet se të dy janë përfshirë në afera korrupsioni.

Del Bosque udhëhoqi ekipin spanjoll drejt titullit të parë të Kupës së Botës në vitin 2010 dhe e pasoi atë duke fituar kampionatin evropian të dytë radhazi të Spanjës dy vjet më vonë. Del Bosque gjithashtu fitoi dy tituj të Ligës së Kampionëve dhe dy La Ligës në një periudhë katërvjeçare në krye të Real Madridit nga viti 1999.

Spanja, e cila do të jetë bashkë-pritëse e Kupës së Botës 2030 do të jetë nën vëzhgimin e Del Bosque deri sa organi qeverisës të mbajë zgjedhje të reja. FIFA dhe UEFA thanë se po monitoronin nga afër situatën me shqetësim të madh, duke kërcënuar se nëse politika ndërhyn në federatë atëherë kombëtarja dhe klubet spanjolle rrezikojnë edhe përjashtimin nga kompeticionet e tyre.

Klan News