Kryeministri Britanik Toni Bler ka shkelur sot për herë të parë tokën shqiptare, ku është pritur nga autoritetet më të larta të Shtetit Shqiptar. Toni Bler vizitën e parë ja ka kushtuar të ardhurve nga Kosova në kampingun në Mjekës të Elbasanit. Me veshjen sportive kuq e zi Bler i shoqëruar nga Kryeministri Pandeli Majko ka takuar të ardhurit të cilët e pritën me lule e brohoritje. Bler ka biseduar me të ardhurit dhe ka vizituar disa çadra.

 Bler u shpreh: “Këta njerëz kanë lënë shtëpitë e vatrat e tyre në Kosovë dhe prandaj misioni ynë është i thjeshtë, t’i rikthejmë ata në trojet e tyre dhe të jetojnë në paqe e të qete ashtu si të gjithë popujt e tjerë. Unë tha ai sapo fola me disa familje të cilat më treguan gjëra të tmerrshme që kanë vuajtur e pare, prandaj në vendet anëtare të NATO-s do luftojmë të sjellim paqe e drejtësi për këta njerëz. Ky është synimi ynë dhe nuk mund t’a lëmë ta humbasim. Ditë pas dite fushata kundër Millosheviçit vazhdon. Sot në Serbi ka patur demonstrata kundër tij. Kjo nuk tregon vetëm vendosmërinë tonë por edhe suksesin që po arrijmë. Këtu tha ai ka shumë fëmijë të cilët janë e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e tyre do jetë e njëjtë me ato të fëmijëve në Evropën Perëndimore. Unë tha Bler dua t’i shoh këta fëmijë të rriten të lirë në këtë pjesë të Europës, ku të mbizotërojë toleranca, liria e çdo grupimi etnik apo fetar. Por kur shoh këta fëmijë atëherë kuptoj më mirë sepse po i bëjmë aksionet ushtarake. Premtoj se e ardhmja e Kosovës do të jetë e paqtë dhe e begatë. Shumë shpejt përfundoi Bler këta njerëz do të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë.”

Kryeministri Majko foli shkurt: “Nuk kam koment tjetër, ne jemi pjesë e të njëjtit vendim, ne jemi pjesë e të njëjtit zë, jemi pjesë e të njëjtave vende e së njëjtës botë.”

 Gjatë rrugës për tek helikopteri një gjarpër i ka prerë rrugën dy kryeministrave por shumë shpejt kjo situatë është shmangur. Bler e Majko janë nisur drejt Durrësit për t’u takuar me trupat britanike. Bler në Tiranë është takuar me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe udhëheqësin e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës Rexhep Qosja. Pas takimit Bler dhe Majko kanë përshëndetur mijëra banorë të mbledhur para Kryeministrisë. Kauza jonë është një kauzë e drejtë dhe ne nuk ndalemi para se të arrijmë suksesin, kthimin e shqiptarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Me këto fjalë Bler u është drejtuar mijëra qytetarëve të Tiranës.

Kjo nuk është një betejë që bën NATO për territore, kjo është një betejë për vlerat e qytetërimit, tha Bler. Ai është përshëndetur nga afër me banorët e Tiranës dhe të ardhurit nga Kosova. Para gazetarëve Majko tha se Qeveria dhe populli shqiptar po paguajnë koston më të lartë të këtij konflikti. Megjithatë jemi të vendosur të qëndrojmë së bashku me NATO-n në plotësimin e kërkesave ndaj Millosheviçit. Bler tha se kushtet e vëna ndaj Millosheviçit janë minimale ndaj duhen plotësuar. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe në NATO përfundoi Bler.

Toni Bler është pritur nga Presidenti Mejdani. Bler ka mirëpritur propozimin e Presidentit Mejdani për nevojën e një plani marshall për rindërtimin e Ballkanit pas vendosjes së paqes në Kosovë. Mejdani dhe Bler vlerësuan domosdoshmërinë e unitetit të faktorit shqiptar në Kosovë dhe të intensifikimit të veprimeve ushtarake ndaj Millosheviçit deri në plotësimin e të gjitha kushteve të vendosura nga NATO. Në orën 15 e 45 minuta Kryeministri Britanik Bler i ka dhënë lamtumirën tokës shqiptare. Në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” Bler është përcjellë nga Kryeministri Majko me mesazhin e fillimit të një epoke të re të marrëdhënieve Shqipëri-Britani e Madhe./tvklan.al

Gazatarë: Ornela Bego dhe Vladimir Lame