Tashmë kur janë miratuar ndryshimet e ligjit për dhomat e specializuara brenda tetë ditësh nga data e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ligji parashihet të nënshkruhet dhe të shpallet nga presidentja, Justina Shiroka Pula.
Nëse ajo nuk vepron brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të zbatohen plotësisht.
“Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen. Prandaj, nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, tha shefi i grupit të PDK-së, Arian Tahiri.
Pas miratimit të këtij ligji Bashkimi Evropian ka shprehur edhe “shqetësim të thellë” për kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, të cilin e sheh të jetë “në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”.
Ndryshimet e ligjit të Speciales, të sponsorizuara nga PDK-ja parashohin kufizim të mandatit të Speciales dhe bartje në Kosovë të shkallës së tretë të gjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të dënuar nga shkalla e parë me 81 vjet burgim në total.
/tvklan.al












Botërori 2026 