Finalja e Kupës së Botës në stadiumin “MetLife” të New Jersey-t nisi me një spektakël madhështor, ku futbolli dhe muzika u bashkuan në një ceremoni të denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë. Ceremonia e hapjes filloi me interpretimin e himnit të Shteteve të Bashkuara nga Jennifer Hudson, e cila krijoi atmosferën e një mbrëmjeje historike.
Më pas, skena iu besua Robbie Williams, Nicole Scherzinger dhe Laura Pausinit, të cilët interpretuan “Desire”, himnin zyrtar të FIFA-s. Kënga, që ka shoqëruar hyrjen e skuadrave në çdo ndeshje të këtij Botërori të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, u bë edhe kolona zanore e finales.
Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte hyrja në fushë e trofeut të Kupës së Botës, i sjellë nga legjenda spanjolle Andrés Iniesta. Kampioni i botës me Spanjën në vitin 2010 dhe autori i golit historik në finalen ndaj Holandës u prit me ovacione nga mijëra tifozë të pranishëm në stadium.
Pak çaste përpara nisjes së sfidës, aktori Tom Cruise përcolli një mesazh frymëzues, duke e cilësuar futbollin si një gjuhë universale që bashkon njerëzit përtej kufijve dhe kulturave.
Spektakli vazhdoi edhe gjatë pushimit mes pjesëve me një “half-time show” të pasur artistik. Madonna hapi programin me hitin “Music”, e shoqëruar në skenë nga dy legjendat braziliane, Ronaldo dhe Ronaldinho. Më pas performoi grupi BTS me këngën “Dynamite”, ndërsa publiku mirëpriti edhe paraqitjen surprizë të Ted Lasso.
Justin Bieber ndezi atmosferën me interpretimin e “Everything Hallelujah”, përpara se skena t’i kalonte Shakirës, një nga figurat kryesore të këtij Botërori. Këngëtarja kolumbiane interpretoi “Dai Dai”, kolonën zanore zyrtare të turneut, një këngë që ka grumbulluar qindra miliona shikime në platformat digjitale dhe që u këndua në kor nga dhjetëra mijëra tifozë në tribunat e “MetLife”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 