25 nëntor 2026 – E përjashtuara nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali në konferencën për shtyp tha se qëndrimi i saj kundër politikave të brendshme të PS, lidershipit të Edi Ramës dhe qasja me qytetarët, ka fillur qysh më parë.

Pika kulmore e debateve të brendshme, Spiropali tha se ishte refuzimi për të votuar kundër heqjes së imunitetit parlamentar për Belinda Ballukun. Ish-ministrja e Jashtme thotë se luftën me Belinda Ballukun nuk e ka personale, por është kundër atij modeli pushteti që nuk njeh ligj e litime.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me zgjedhimin dhe as nuk më erdhi papritur në mendje në momentin që njerëzit dolën në rrugë. Këto i kam shtjelluar më parë. Ju nuk i dini debatet e brendshme. Unë kam respektuar një lloj disipline që është e arsyeshme në çdo forcë politike. Duke parë se situata në Shqipëri po merrte një drejtim të caktuar, në një kohë kur vendi duhet të ndiqte një rrugë që impononte një model tjetër në disa nivele, e kam thënë edhe publikisht, aq sa kam çuditur edhe të tjerë se si ishte e mundur që në atë moment po flitej për çështje të tilla.

E kam bërë edhe me kosto personale. Unë ndoshta isha një nga dy deputetët që nuk votuan me grupin për një çështje të prezantuar nga SPAK-u. Në atë moment, për këtë qëndrim mora jo vetëm kritika të brendshme, por edhe një paralajmërim për përjashtim, të cilit iu përgjigja me fjalën “përjashto”. Në atë moment, gjithçka e imja, gjykimi dhe ndërgjegjja, më bënin të besoja se ky ishte vendimi i duhur. I njihja pasojat dhe ato nuk janë çështje individuale. Problemi nuk është individi, por legjitimimi i atij modeli. Këtu ka qenë ndarja ime nga një akt politik dhe më pas gjithçka tjetër ka ardhur duke u shtjelluar dhe sqaruar nga unë konkretisht”, tha Spiropali.

Ndër të tjera, Spiropali foli për mbështetjen e hapur për protestat qytetare. Ajo tha se protestuesit janë ndjerë të përjashtuar dhe të shpërfillur nga pushteti. Ajo ironizoi dhe nismat e qeverisë me platformat “Prania Besnike” dhe “Pasqyra” duke thënë se qytetarët kanë nevojë për akte konkrete.

“A do të vijojmë të kemi një mënyrë qeverisjeje që shpërndan favore përmes telefonatave, apo do të kalojmë drejt një modeli meritokratik, ku njerëzit të ndihen të përfshirë? Është një çështje parimore. A do të vijojmë të investojmë në një administratë politike, apo në një administratë që u jep mundësi të gjithëve të përfshihen? Kam keqardhje për personin që ma vini përballë. E konsideroj viktimë të këtij modeli që nuk njeh kufizime, ligje apo procedura. Nuk ka kufi në mënyrën se si ushtrohet pushteti, deri në pikën ku kemi mbërritur në këtë mungesë totale të legjitimitetit. Pushteti absolut korrupton. Natyra njerëzore është e tillë.

Në momentin që kam bërë qasjen e dytë, me letrën publike, kur nisën protestat dhe njerëzit u ndjenë të shpërfillur, kuptova se nuk mund t’u vendosim përballë një pasqyrë. Ne duhet të tregojmë besnikëri reale ndaj kërkesave të tyre. Nuk duhet ta hedhim të gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe as të kandidohet PS-ja si partitë e tjera. Marr shumë mesazhe nga socialistët, të cilët ndihen të përjashtuar nga ndarja e pushtetit. A zgjidhet puna e të rinjve që dalin në rrugë me polici, me represion? Me shkopinj? Unë nuk i shoh dot ato pamje”, tha Spiropali.

/tvklan.al