Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka sfiduar kryeministrin Edi Rama. Pas debateve të ndodhura në mbledhjen e së hënës në grupin parlamentar, ku Rama i tërhoqi vëmendje për qëndrimet e saj publike të mbajtura pas shkarkimit si ministre, Spiropali publikisht i kërkon ta përjashtojë, ashtu siç ai e kërcënoi se do të bënte nëse vijonte me të njëjtën linjë kritikash në rrjetet sociale.
Me një status të gjatë, të titulluar “Më përjashto”, Spiropali rreshton argumentet pse mendon se debati dhe kritikat për qeverisjen nuk mund të përballen me kërcënime për mbyllje goje.
“Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndërrohen në spektakël ndëshkimor publik. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi. Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim. Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto”.
Spiropali nuk i quan sulme, por kritika për modelin që PS në qeverisje po ndjek.
“Nuk kam sulmuar Partinë Socialiste. Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti, rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli, ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik. Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen”.
Spiropali shton se mungesa e saj gjatë votimit për kërkesën e SPAK-ut për imunitetin e ish-zv.kryeministres Balluku, për të cilën Rama ia kujtoi në mbledhjen e grupit, ishte refuzim për të votuar në mënyrë të automatizuar.
“Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat. Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim. Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto”.
Ish-ministrja shkruan se kërcënimet për përjashtim nuk e shqetësojnë aq shumë sesa mendimi se normalizimi i idesë se një parti mund të funksionojë përmes frikës.
“Kritikat publike të Spiropalit për qeverisjen erdhën menjëherë pasi Rama vendosi ta largojë nga qeveria si ministre e Jashtme, pa u mbushur 6 muaj në këtë post”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 