Disa lindin të shurdhër, ndërsa të tjerë humbasin dëgjimin gjatë jetës si pasojë e disa sëmundjeve infektive.
Edlira Beqiri: “Kemi një incidencë, e cila rezulton të jetë në dy-tre fëmijë për 1 mijë lindje normale.”
“Fëmija im ka kaluar i sapolindur meningjitin. U shërua plotësisht nga ajo sëmundje, por pasojat diheshin. Pa e mbushur mirë vitin 11 muajsh nga shqetësimi jonë dhe zbuluam që fëmija vuante nga mosdëgjimi”.
Roland Dogmeni: “Brenda tre tetë muajve, në vitin 2009, në mënyrë graduale në këtë hapësirë kohore, mua më iku totalisht dëgjimi.”
Dëgjimi për këtë kategori pacientësh është një mrekulli, dhe ajo po u rikthehet prej dy vitesh nga një ekip i specializuar i mjekëve në Spitalin Amerikan. Falë punës së tyre dhe financimit të qeverisë shqiptare, shtatë pacientë kanë rifituar dëgjimin nëpërmjet implantit koklear.
Dritan Vasili: “Dy prej të cilëve janë të rritur dhe pesë janë fëmijë, të cilët kanë lindur pa dëgjim ose të shurdhër. Kemi rreth dy vjet eksperiencë me këtë procedurë kirurgjikale, e cila ka rezultuar e suksesshme. Impianti koklear veç si pajisje është një pajisje elektronike shumë e ndërlikuar dhe ka një kosto të lartë që shkon rreth 22-23 mijë euro. Të gjithë impiantet deri sot janë financuar nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe pritet që dhe impiantet e tjera, që flitet një numër rreth 15 në vit të financohen po ashtu nga qeveria.”
Impianti koklear është e vetmja mundësi që bën të dëgjojë veshin e shurdhët.
Rolandi është i pari pacient që ka përfituar nga kjo ndërhyrje e kryer në Spitalin Amerikan. Për të, ajo është si një rilindje e dytë.
Roland Dogmeni: “Në një periudhë rreth pesë javë pas operacionit, për mu ishte një rilindje. Unë fillova të dëgjoj brenda një periudhe rreth dy vjetësh. Unë jam plotësisht i korrigjuar.”
Shurdhësia tek fëmijët është një fenomen në rritje për shoqërinë shqiptare, ndaj edhe identifikimi i tyre nis në maternitete për të përfunduar më pas në kryerjen e impiantit koklear.
Dritan Vasili: “E para duhet të identifikohen fëmijët të cilët kanë lindur të shurdhër ose kanë humbur dëgjimin. E dyta është një etapë që duhet kaluar, që fëmija duhet të vendosë aparate dëgjimi konvencionale. Në qoftë se një fëmijë nuk përfiton dëgjim, të folur nga ky dëgjim që ka, atëherë futet në grupin e fëmijëve që presin për të t’i nënshtruar implantimit koklear. Periudha më mbrapa është akoma më vështirë, sepse fëmija duhet të bëjë mësim me persona që quhen logopedë.”
Kjo teknikë e re e përdorur nga ekipi i mjekëve të specializuar shqiptarë në Spitalin Amerikan siguron 90% sukses.
Dritan Vasili: “Suksesi i përfitimit nga impianti koklar varet edhe nga disa elemente të tjerë. E para është zhvillimi, le të themi, psikik dhe psikologjik i fëmijës. E dyta është ambienti social ku rritet ky fëmijë, dhe e treta ndjekja nga këta fëmijë e kurseve ose shkollave speciale.”
Nëse sëmundja kapet shpejt dhe impianti realizohet në vitet e para, atëherë përfitimi është mbresëlënës.
Dritan Vasili: “Por në qoftë se implantohen rreth vitit dytë të jetës në moshën gjashtë vjeçare, ky fëmijë ndjek shkollën publike normale si të gjithë fëmijët e tjerë.”
Në listëpritjen e Spitalit Amerikan janë disa fëmijë të moshave nën pesë vjeç që presin t’i nënshtrohen kësaj ndërhyrjeje, që do t’i bëjë ata të dëgjojnë për herë të parë tinguj dhe zëra që deri më tani nuk kanë mundur./tvklan.al












Botërori 2026 