E gjithë vëmendja është te finalja e madhe e 19 korrikut, ku Kupa e Botës do të ngrihet nga njëra prej dy skuadrave që kanë shkëlqyer në këtë kampionat botëror, Spanja ose Argjentina.

Në emisionin “Kampionët e Botës”, këtë të premte, më 17 korrik, ishte e ftuar ish-sportistja Kejsi Toçi, e cila foli për emocionet e finales dhe përballjen mes dy kombëtareve pretendente.

“Ka ardhur haku tek i zoti, sepse kemi përballë kampionen e Botës me kampionen e Europës. Këtë bën Botërori apo kampionati europian, tregon se sporti nuk mund të matet vetëm me yje individualë, por matet nga unifikimi i grupit, nga disiplina, nga mënyra sesi e menaxhon presionin dhe sa pasion ke.”

Ajo gjithashtu bëri të ditur se në mbrëmjen finale do të bëjë tifo për kombëtaren spanjolle, megjithëse nuk mund të japë një parashikim të saktë për rezultatin.

“Pavarësisht se unë jam me Spanjën në ndeshjen e fundit me Argjentinën, unë nuk pashë ndeshje, unë pashë luftë gladiatorësh. U luftua në çdo centimetër katror të asaj fushe. Donin ta fitonin, e kërkuan, e fituan. Jo vetëm futbolli, por çfarëdo lloj sporti kërkon grindë, kërkon shumë dashuri dhe shumë pasion. Argjentina e ka demonstruar, por edhe Spanja. Nuk di të bëj një parashikim të saktë për këtë ndeshje.”

Ajo pohoi se di me siguri që do të jetë një përballje shumë e bukur dhe do të jetë emocionuese për të por edhe për çdo tifoz që do ta shohë.

/tvklan.al